RTSH 24 Live

Aktualitet

Autostrada Tiranë-Durrës me 4 korsi, nis puna për gërmimin e trupit të rrugës

7 orë para

Autostrada Tiranë-Durrës me 4 korsi, nis puna për gërmimin e trupit të rrugës

Në autostradën Tiranë-Durrës ka nisur puna për zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra korsi do të shërbejë për emergjencat, duke e bërë autostradën në përfundim të punimeve me nga katër korsi në secilin drejtim.

Aktualisht po vazhdojnë punimet në Lotin 1, për zgjerimin e autostradës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se pas spostimit të gjelbërimit kanë filluar punimet për gërmimin e trupit të rrugës dhe mbushjen e saj me material.

Po ashtu, paralelisht vazhdon puna për sistemimin e kanalit anësor dhe pilotimin e trupit të rrugës në zonën e quajtur “Qafa e Kasharit”.

Puna për zgjerimin e autostradës ka nisur në 2 lotet e para, kthesa Kamzë-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilat janë shpallur edhe fituesit. Projekti pritet të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme. Gjatë kësaj periudhe, nuk është parashikuar bllokimi i autostradës, por do të ketë kufizime të shpejtësisë së lëvizjes, me qëllim ruajtjen e sigurisë së ndërtimit dhe të udhëtarëve.

Aktualisht, shpejtësia e lejuar në këtë segment është deri në 90 kilometra për orë, një kufizim që do të rritet në 130 kilometra për orë pas përfundimit të zgjerimit.

Pjesë e këtij projekti ishte edhe zhvendosja e bimëve ekzistuese nga autostrada drejt parkut të liqenit artificial, duke siguruar kështu jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por dhe ruajtjen e gjelbërimit urban.

/ rtsh.al /