RTSH 24 Live

Kosovë

Nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK, 16 këngëtarë ngjiten në skenën madhështore

3 orë para

Nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK, 16 këngëtarë ngjiten në skenën madhështore

Ka nisur nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK. Edhe sonte të pranishmit në sallë dhe teleshikuesit anembanë do të kenë rastin të shohin spektaklin muzikor dhe performancën e 16 garuesve të ‘Fest 2’.

Pas një mbrëmje përplot emocion në natën e parë, edhe sonte pritet që këngëtarët konkurrues të ngjiten në skenën madhështore dhe të japin më të mirën e tyre para publikut dhe jurisë për të dëshmuar se e meritojnë të jenë pjesë e natës finale.

Natyrisht, ethet e pjesëmarrësve sonte janë më të mëdha, pasi juria në fund do të vendosë se cilat këngë do të paraqiten në natën finale. Edhe kësaj radhe nuk do të mungojnë mysafirët specialë me moderatoren dhe gazetaren e njohur shqiptare, Sonila Meço, si dhe rock-grupin ‘Lindja’.

Nata nisi me Bruna Sata me këngën "Ti je i pashpirt" për të vazhduar me Luna Qausholli me "Dielli të më shoh", Vlona Boshnjaku me "Lotët", Arnite Kastrati me "Blla blla", Santino De Bartola me "U jam Arbëresh", Ardit Stafaj "Faji", Endrit Krasniqi me "Flasë me gjethen", Blendi Kaso me "Një të vetme ka në jetë", Besmir Shishko me "Unë Ajo", Ardita Begu me "Fundosu në dritë", Rei Bezhani me "Zonjë tradhti", Inorga me "Seks mashina nga Prishtina", Jehona Lumi me "Shko", Agim Poshka me "Ndarja erdhi", Greta Azizi me "Veres" dhe Dea Strica me këngën "N'Shqipni".

Festivali i Këngës po transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1, RTK 2, Radio Kosova dhe në platformat digjitale të transmetuesit publik, duke ofruar mundësi të gjerë për ndjekjen e këtij eventi nga të gjithë.

Nata finale mbahet të shtunën në orën 21:00. 

/rtsh.al/