RTSH 24 Live

Muzikë

Frank Ibrahimi rrëfen jetën në Vlorë dhe prezanton "Vegim" për herë të parë

4 orë para

Frank Ibrahimi rrëfen jetën në Vlorë dhe prezanton "Vegim" për herë të parë

I njohur edhe si "Uragani" për fuqinë e tij zanore, vokalisti i ri tregoi pasionin për muzikën, që i lindi në moshë fare të mitur dhe nuk i është zbehur më.

"Me modestinë më të madhe them që pa mbushur 4 vjeç kam filluar të këndoj për herë të parë, t'i këndoja gjyshes sime. Që aty më hipi dëshira dhe pasioni. Gjyshja ishte dëshmitarja e parë, pastaj mami, babi dhe u bë virale në lagje, se atëherë nuk kishim TikTok apo Instagram.

Kam qenë në shkollë, klasa e parë fillore. Ka qenë mësuesi im i parë i muzikës, Vasil Çuni, që më ngjiti për herë të parë në skenë. Kam kënduar "Këngën e gjyshes" për herë të parë në skenë," tha Franku.

Një artist që synon të jetë shumëdimensional, kënga e tij më e re, "Vegim", trajton dashurinë dhe dhimbjen nga një këndvështrim më social: shëndeti mendor.

Edhe vendndodhja e përzgjedhur për xhirimin e klipit është e veçantë, burgu i kalasë së Gjirokastrës.

"Është një këngë që e kemi shkruar në gusht bashkë me Xhejms Rukën, kitarist dhe shoku im i ngushtë, për mendimin tim një nga kitaristët më të mirë në Shqipëri. 

Erdhi në mënyrë natyrale, organike. Në shkallët e oborrit të shtëpisë, bashkë me Xhejmsin, duke i thënë ma luaj pak 'riff'-in, ai e zbërtheu vetë dhe unë i ngjita tekstin, melodinë.

Kënga u kompletua brenda natës. Ajo flet për dhimbjen që dikush përjeton pas dashurisë dhe 'Vegim' ka dashur të prekë pak edhe shëndetin mendor. Është një temë që e tejkalon dhimbjen e dashurisë, nuk e lë thjesht aty. Kjo temë në vitin 2025 është një temë sociale dhe shumë delikate, për fat të keq, do të thoja. Nis me ndjenjën e mallit dhe me fjalët 'më mungon ajo...', por zhvillon atë ndjenjën e zhgënjimit dhe më pas të dhimbjes. Tema e dhimbjes dhe dashurisë është një nga shkaqet që çon më pas në një shëndet jo të mirë mendor," u shpreh këngëtari në intervistën me Beniada Nishanin.

/rtsh.al/