Studio Nr. 5 e Radio Tiranës, dikur një hapësirë për regjistrimet e formacioneve të vogla të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar dhe emisioneve të ndryshme, tashmë po merr një funksion të ri. Ajo do të shndërrohet në një sallë multifunksionale, e hapur për të rinjtë dhe grupet muzikore që kërkojnë një mundësi për të realizuar projektet e tyre artistike.
"Kjo sallë do të jetë e hapur për grupet e reja, për artistët e rinj, për të ushtruar prova, për të luajtur bashkë me njëri-tjetrin. Këto prova kanë për qëllim rritjen e tyre profesionale dhe ngjizjen ose mbajtjen e grupeve të reja që krijohen dhe nuk kanë se ku të punojnë," tregon drejtori i Radio Tiranës, Bojken Lako.
Ai u bën thirrje të gjithë të rinjve të apasionuar pas muzikës që të bëhen pjesë e kësaj iniciative.
Ky transformim synon të krijojë një ambient frymëzues, ku talentet e reja të kenë mundësinë të eksperimentojnë, regjistrojnë dhe promovojnë krijimtarinë e tyre.
"Fokusi kryesor do të jetë te muzika origjinale. Gjej rastin t'u bëj thirrje grupeve muzikore, që kanë materiale origjinale, që të paraqiten në redaksinë e Radio Tiranës, të na shkruajnë në info@rtsh.al. Ne do t'i xhirojmë performancat e tyre 'live', do t'i incizojmë në mënyrë profesionale, do t'i masterizojmë dhe këto materiale do të transmetohen në Radio Tirana 2, në RTSH 2 HD dhe në rrjetet sociale të Radio Televizionit Shqiptar," thotë drejtori Lako.
Në një kohë kur skena muzikore shqiptare po kërkon gjithnjë e më shumë hapësira për artistët e rinj, ky projekt i Radio Tiranës vjen si një mbështetje e rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja.
Studio Nr. 5 do të jetë më shumë se një hapësirë regjistrimi – do të jetë një qendër e re e kreativitetit.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/