RTSH 24 Live

Botë

Franca propozon tërheqjen e Hezbollahut dhe bisedime Izrael-Liban për armëpushim

13/02/2024

Franca propozon tërheqjen e Hezbollahut dhe bisedime Izrael-Liban për armëpushim

Franca i ka dorëzuar Bejrutit një propozim me shkrim që synon t'i japë fund armiqësive me Izraelin dhe të zgjidhë kufirin e diskutueshëm Liban-Izrael. Sipas Reuters dokumenti bën thirrje për tërheqjen e luftëtarëve, përfshirë njësinë elitare të Hezbollahut 10 km nga kufiri.

Plani synon t'i japë fund luftimeve midis Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe Izraelit në kufi. Armiqësitë kanë ecur paralelisht me luftën e Gazës dhe po ushqejnë shqetësimin për një konfrontim shkatërrues, të gjithanshëm. Propozimi francez kërkon parandalimin e një konflikti "që rrezikon të dalë jashtë kontrollit" dhe zbatimin e "një armëpushimi të mundshëm, kur kushtet janë të përshtatshme" dhe në fund parashikon negociatat për përcaktimin e kufirit tokësor të diskutueshëm midis Libanit dhe Izraelit.

Plani francez me tre hapa parashikon një proces 10-ditor të de-përshkallëzimit që përfundon me negociatat për kufirin. Një burim diplomatik francez tha për Reuters se propozimi i ishte bërë qeverive të Izraelit, Libanit dhe Hezbollahut.

Franca ka lidhje historike me Libanin. Ajo ka 20,000 qytetarë në vend dhe rreth 800 trupa si pjesë e një force paqeruajtëse të OKB-së.

"Ne bëmë propozime. Ne jemi në kontakt me amerikanët dhe është e rëndësishme që të bashkojmë të gjitha nismat dhe të ndërtojmë paqen," tha ministri i jashtëm francez Stephane Sejourne.

Plani propozon se grupet e armatosura libaneze dhe Izraeli do të ndërpresin operacionet ushtarake kundër njëri-tjetrit, duke përfshirë sulmet ajrore izraelite në Liban.

Sipas dokumentit francez “grupet e armatosura libaneze do të çmontonin të gjitha objektet pranë kufirit dhe do të tërhiqnin forcat luftarake, duke përfshirë luftëtarët elitë të Hezbollahut “Radëan” dhe sistemet antitank të paktën 10 km në veri të kufirit.”

I pyetur në lidhje me propozimin, politikani i lartë i Hezbollahut, Hassan Fadlallah i tha Reuters se grupi nuk do të diskutonte "asnjë çështje lidhur me situatën në jug përpara ndalimit të agresionit në Gaza". 

“Armiku nuk është në gjendje të vendosë kushte”, shtoi Fadlallah, duke refuzuar të komentojë detajet e propozimit apo nëse Hezbollahu e kishte marrë atë.

Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë në të dy anët e kufirit që nga fillimi i luftimeve më 8 tetor. Sulmet izraelite kanë vrarë rreth 200 njerëz në Liban, 170 prej tyre luftëtarë të Hezbollahut. Sulmet nga Libani kanë vrarë 10 ushtarë dhe pesë civilë në Izrael. Por sulmet janë kontrolluar kryesisht në zonat afër kufirit dhe të dyja palët kanë thënë se duan të shmangin luftën e gjithanshme.

/rtsh.al/