Presidenti Joe Biden njoftoi Kongresin për qëllimin e tij për të hequr përcaktimin amerikan të Kubës si sponsor shtetëror i terrorizmit, njoftoi Shtëpia e Bardhë, si pjesë e një marrëveshjeje të lehtësuar nga Kisha Katolike për lirimin e të burgosurve politikë në ishull.
Zyrtarë të lartë të administratës amerikane, të cilët e parashikuan njoftimin në kushte anonimiteti, thanë se "dhjetëra" të burgosur politikë dhe të tjerë që konsiderohen nga SHBA si të ndaluar padrejtësisht, do të lirohen deri në fund të administratës Biden në mesditën e 20 janarit.
SHBA do të lehtësonte gjithashtu një presion ekonomik ndaj Kubës, si dhe një memorandum të vitit 2017 të lëshuar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump, duke ashpërsuar qëndrimin e SHBA-së ndaj Kubës .
Përcaktimi i demokratit me një mandat në largim ka të ngjarë të ndryshojë që në fillim të javës së ardhshme pasi Trump, republikani që tani është president i zgjedhur, të marrë detyrën dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio të marrë pozicionin e kryediplomatit të Amerikës.
Rubio, familja e të cilit u largua nga Kuba në vitet 1950 përpara revolucionit komunist që solli Fidel Castron në pushtet, ka qenë prej kohësh një ithtar i sanksioneve në ishullin komunist. Rubio do të paraqitet para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë të mërkurën për seancën e konfirmimit të tij dhe pritet të trajtojë rrënjët e tij kubane në dëshminë e tij.
Trump emëroi Mauricio Claver-Carone, një ish ndihmës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe mbështetës i fortë i sanksioneve kundër Kubës, në postin e të dërguarit të tij të posaçëm për Amerikën Latine.
Në ditët e fundit të administratës së parë të republikanit Trump, më 11 janar 2021, Shtëpia e Bardhë riktheu statusin e Kubësi si një vend mbështetës të terrorizmit, që ishte hequr në periudhën e afrimit midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të dytë të Presidentit Barack Obama. Në vendimin e saj, administrata e kaluar e zotit Trump përmendi mbështetjen e Kubës për udhëheqësin e Venezuelës, Nicolas Maduro, refuzimin për të ekstraduar rebelët kolumbianë në Kolumbi, dhe strehimin e amerikanëve të kërkuar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara.
Grupet dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Konferencën e Peshkopëve Katolikë të Shteteve të Bashkuara, i kanë bërë presion administratës së Presidentit Bidenit që të marrë këtë vendim për të lehtësuar vuajtjet e popullit kuban si pasojë e izolimit ekonomik të Kubës.
Kongresi dhe administrata e ardhshme e zotit Trump do të kenë mundësinë të rishikojnë dhe të ndryshojnë vendimet e zotit Biden, megjithëse zyrtarët e lartë të administratës amerikane thanë se administrata e Presidentit Biden kishte vendosur se nuk kishte "asnjë provë të besueshme" se Kuba aktualisht është e angazhuar në mbështetjen e terrorizmit ndërkombëtar. AP
/rtsh.al/