RTSH 24 Live

Botë

Franca bombardon objektivat e Shtetit Islamik në Siri

31/12/2024

Franca bombardon objektivat e Shtetit Islamik në Siri

Avionët francezë kanë bombarduar pozicionet e Shtetit Islamik në Siri. Lajmi është bërë me dije nga ministri francez i mbrojtjes Sebastien Lecornu.

"Forcat tona të armatosura mbeten të angazhuara në luftimin e terrorizmit në Levant. Të dielën, mjetet ajrore franceze kryen sulme të synuara kundër DEASH-it në tokën siriane" postoi Lecornu në X , i njohur më parë si Twitter, ndërsa ishte në një vizitë për Vitin e Ri te paqeruajtësit francezë të OKB-së në Liban.

Sulmet janë të parat në Siri që nga rënia e Bashar al-Asad.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se avionët luftarakë të Francës Rafale dhe dronët Reaper të prodhuara nga SHBA-ja hodhën shtatë bomba në dy objektiva ushtarakë që i përkisnin DAESH-it në Sirinë qendrore.

Franca i përket koalicionit ndërkombëtar Inherent Resolve kundër IS që nga viti 2014 për Irakun dhe 2015 për Sirinë. Trupat franceze të përfshira në operacione janë të vendosura në rajon, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Uashingtoni tha në mes të dhjetorit se kishte dyfishuar numrin e trupave amerikane që luftonin xhihadistët në Siri, në rreth 2,000.

/rtsh.al/