RTSH 24 Live

Kosovë

Forcimi i sigurisë rajonale dhe partneriteti strategjik, Osmani takim me zyrtarin e lartë të DASH

14 orë para

Forcimi i sigurisë rajonale dhe partneriteti strategjik, Osmani takim me zyrtarin e lartë të DASH

Forcimi i sigurisë rajonale ka qenë temë kyçe në takimin e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono, në SHBA.

Me anë të një njoftimi bërë nga Presidenca, Osmani  dhe Bono vunë theksin gjithashtu te forcimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve në përputhje me objektivat e Administratës së Presidentit Trump, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, një tjetër temë në të cilën u fokusua biseda mes dyshes Osmani-Bono ishte dhe rëndësia e integrimit të Kosovës në NATO.

Osmani konfirmoi nga ana e saj, se Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO.

Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme”, thuhet më tej në njoftim.

Louis Bono është emëruar nga Administrata e Presidentit Trump si ushtrues detyre në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit me datë 20 janar 2025.

/rtsh.al/