Zyrat e aplikimit për karta identiteti apo pasaporta biometrike të kompanisë shtetërore IdentiTEK po përballen me rritje të numrit të rinovimeve.
“Kërkesa për t’u pasur pasaporta dhe ID biometrike ka qenë në rritje këtë sezon veror. Ne kemi punuar edhe gjatë ditëve të shtuna dhe ky menaxhim sjell përmbushjen në kohë të kërkesave të qytetarëve shqiptarë anembanë vendit”, tha Harizaj.
Eda Harizaj, Menaxhere e Burimeve Njerëzore pranë kompanisë thotë se për t’u ardhur në ndihmë aplikuesve janë krijuar lehtësira për kryerje e procedurës.
“Ne kemi menduar vijimin e procedurave të lehtësuara për aplikime për dokumente biometrike. Çdo shtetas mund të riaplikojë për pasaportë me procedurë të përshpejtuar në çdo zyrë të IdentiTEK pavarësisht gjendjes civile ku janë të regjistruara”, u shpreh Harizaj.
Harizaj thotë se kompania po punon edhe për standardizimin e shërbimeve në organizmat përkatës ndërkombëtar.
“IdentiTEK ka ndërmarrë shumë nisma për përmirësimin e bazës ligjore me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe jemi shumë krenar për marrjen e ISO 27001, një standard ndërkombëtar që certifikon për zbatimin e sistemit të menaxhimit të sigurisë së informacionit”, tha ajo.
Prej gushtit të vitit të shkuar, IDENTITEK është institucioni që prodhon pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, që përpara se të bëhej shtetërore menaxhohej nga kompania ALEAT.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/