RTSH 24 Live

Aktualitet

Finalja e Conference League, nga incidentet e tifozëve italianë dhe holandezë, te rrugët e 'paralizuara'

25/05/2022

Finalja e Conference League, nga incidentet e tifozëve italianë dhe holandezë, te rrugët e 'paralizuara'

Roma dhe Feyenoord do të përballen sot në orën 21:00  në Air Albania për finalen e Conference League. 25 maji shënon një moment historik për futbollin shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë, do të luhet finalja e parë europiane. Përballja mes Romës dhe Feyenoord ka sjellë në Tiranë mijëra tifozë të të dyja skuadrave, disa prej të cilëve kanë tentuar dhe përplasjen me njëri-tjetrin. Policia ka ndërhyrë për të shmangur veprimet e dhunshme, por është hasur në dhunën e një grupi tifozësh të Feyenoord-it dhe të Romës. Policia ka shoqëruar në Komisariat 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas honaldezë të cilët mbrëmjen e 24 majit u përfshinë në akte të dhunshme, duke lënë të plagosur 10 punonjës policie. Fill pas ngjarjes, reagoi dhe Policia e Shtetit e cila u bënte thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos binin pre e provokimeve nga grupe tifozësh të të dyja skuadrave.

“Një grup tifozësh kanë lëvizur në drejtim të stadiumit "Air Albania" dhe sipas informacioneve tentonin të përplaseshin me një grup tifozësh të skuadrës tjetër. Shërbimet e Policisë kanë tentuar t'i ndalojnë në rrugën "Mustafa Matohiti", ku tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj. Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie dhe është dëmtuar një automjet policie”, njoftoi Policia.

Sakaq, në kuadër të finales së Conference League, 25 maji u shpall nga qeveria ditë pushimi në të gjitha institucionet publike në qarkun e Tiranës. Po ashtu, të gjitha rrugët hyrëse në Tiranë sot, janë të bllokuara deri në orën 18:00. Vetëm pas kësaj ore, do të mund të bëhet e mundur hyrja në Kryeqytet për të gjithë ata që do duan të ndjekin ndeshjen Roma-Feyenoord.

Kufizimet më të mëdha do të jenë në rrugët nga do të vijnë tifozët, pra Rinas - Tiranë, Durrës - Tiranë, Fushë Krujë - Tiranë dhe Elbasan - Tiranë. Këto akse do të jenë të dedikuara vetëm për automjetet që do të transportojnë tifozët e të 2 skuadrave sportive. Unaza e mesme do të jetë në dispozicion të automjeteve të tifozëve. Unaza e vogël do të jetë e bllokuar. Të gjitha rrugët që lidhin unazën e mesme me unazën e vogël do të jenë të bllokuara. Për 2 orë do të lejohen të qarkullojnë vetëm mjetet e Policisë, mjetet e përfaqësuesve të UEFA-s, automjetet e medias dhe të tifozëve që kanë bileta për parkim në parkimin e stadiumit. Për raste emergjencash të ndryshme, qytetarët duhet të përdorin rrugë ndërlidhëse, që të mos ngarkojnë trafikun. Mjetet e tonazhit të rëndë do të lejohen të kalojnë deri në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm. Lejohen të udhëtojnë në drejtim të Rinasit, vetëm ata qytetarë që kanë biletë për udhëtim jashtë vendit. Qytetarët që udhëtojnë nga Tirana në drejtim në veriut, duhet të kalojnë në aksin Tiranë - Vorë - Fushë Krujë dhe jo në aksin Tiranë - Rinas - Fushë Krujë. Nuk lejohet qarkullimi nga Fushë Kruja në drejtim të Rinasit, me qëllim për të kaluar në Tiranë. Lëvizja në këtë aks lejohet vetëm për ata që kanë biletë për udhëtim jashtë vendit. Nuk lejohet qarkullimi në aksin Vorë - Tiranë. Qytetarët që do të vijnë nga jashtë shtetit, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, lejohet të qarkullojnë në drejtim të Tiranës. 

Po ashtu, për të gjithë tifozët që nuk do të kenë mundësi që ta ndjekin ndeshjen në stadiumin Air Albania, Kryebashkiaku Veliaj ka njoftuar më herët se janë përgatitur dy Fan Zone, njëra te  “Amfiteatri i Tiranës“ dhe tjetra te pedonalja “Murat Toptani”. Tifozët e Romës do ta ndjekin ndeshjen te 'Fan Zone' te Amfiteatri, ndërsa tifozët e Feyenoord do mund ta shohin te 'Fan Zone' te Pedonalja.

Bashkia e Tiranës ndërmori një sërë aktivitetesh për tifozeritë e të dyja skuadrave. Organizime festive me muzikë Live janë mbajtur më 23 dhe 24 maj në shëshin Skënderbej dhe në zonën e pedonales, për italianët dhe holandezët që kanë mbërritur në Tiranë për të ndjekur finalen e sotme të Conference League.

Jo vetëm hotelet kanë zënë të gjithë dhomat e tyre, por dhe ato që quhen “guest house” tashmë janë plot, ndërkohë që bizneset janë në kulmin e punës së tyre. Më 24 maj në Sheshin Skënderbej është ekzpozuar dhe trofeu i UEFA Conference League, që do t’i dorëzohet fituesit të finales së 25 majit.

/rtsh.al/