RTSH 24 Live

Ekonomi

Finalja e Conference League, të ardhurat që priten të fitohen

24/05/2022

Finalja e Conference League, të ardhurat që priten të fitohen

Stadiumi “Air Albania” ka vetëm 21 mijë vende për të ndjekur ndeshjen e shënuar futbollistike, por numri i atyre që vijnë për të ndjekur këtë ndeshje është jo më i ulët se gjashtë herë sa kjo shifër.

Shqipëria ka ofruar shërbimet e nevojshme për të krijuar kushte për të gjithë mysafirët jo vetëm nga Italia dhe Holanda, por edhe nga shtete të tjerë që kanë shfaqur interes për të ndjekur këtë event.

Aeroportet e Tiranës, Selanikut, Podgoricës dhe Prishtinës do të jenë pjesë e transportit të sportdashësve dhe tifozërive përkatëse. Autoritetet nuk kanë mundur ende të llogarisin se sa do të mund të jenë shpenzimet e pritshme të këtyre mijëra njerëzve që vijnë në Shqipëri.

Çmimet në njësitë akomoduese janë shumëzuar me herë. Shtëpi private në Tiranë, Durrës apo më larg janë shënuar si njësi akomoduese me çmime që nuk janë parë ndonjëherë, deri në 450 Euro nata. Nuk ka shumë kapacitet hotelier në Tiranë, por është shfrytëzuar edhe Durrësi, Kruja, Elbasani etj.

Shoqata e Hoteleri, Turizmit dhe Guidave Turistike nuk ka raportuar një shifër të përafërt të akomodimeve në Tiranë dhe rrethina. Edhe INSTAT nuk jep shifrën e shtretërve në kryeqytet apo rrethe, por vetëm okupimin e tyre me netë fjetjeje.

Por risi përbën dhënia ditore me qira e makinave. Shifrat janë befasuese dhe variojnë sipas llojit të mjetit dhe kapacitetit të tij. Në Agjencitë kryesore në Tiranë për një ditë të vetme mund ta marrësh një mjet në ditën para ndeshjes nga 55 Euro deri në 1540 Euro!

Agjencitë, për shkak edhe të konkurrencës nuk japin shifra për mjetet e angazhuara në vozitjen e kërkuar sidomos nga turistët. Këto ditë zyrat e tyre kanë parë një fluks të panjohur kërkuesish për auto mjete me qira ditore.

Informaliteti në këta sektorë nuk të lejon të llogarisësh se sa përfiton biznesi shqiptar nga një event i vetëm i tillë. Vështirë do të jetë që kjo të pasqyrohet tërësisht në të hyrat fiskale të njësive të akomodimit, restoranteve apo edhe shërbimeve të tjera që ofrohen.

Nuk po përmendim këtu të ardhurat në aeroporte dhe portet hyrëse në Shqipëri, në ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka ofruar transport falas nga Aeroporti i Rinasit në drejtim të Tiranës.

Një ditë e vetme, e një eventi të vetëm sjell të ardhura të shumta. Mbase edhe më shumë të hyra fiskale. Shqiptarët duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi për të sjellë më shumë kulturë në shërbim dhe në llojshmërinë e tij.

Roma dhe Feyenoord do të përballen nesër në orën 21:00 në “Air Albania”, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane.

/rtsh/