RTSH 24 Live

Aktualitet

Roma-Feyenoord, Veliaj: Dy 'Fan Zone' për tifozët, Amfiteatri dhe pedonalja

20/05/2022

Roma-Feyenoord, Veliaj: Dy 'Fan Zone' për tifozët, Amfiteatri dhe pedonalja

Finalja e Conference League mes Romës dhe Feyenoord do të mbahet në Tiranë në stadiumin Air Albania më 25 maj. Për të gjithë tifozët që nuk do kenë mundësi të shohin ndeshjen në stadium, do të kenë mundësi ta ndjekin nga dy 'Fan Zone', te “Amfiteatri i Tiranës“ dhe pedonalja “Murat Toptani”. Lajmi është njoftuar nga Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj  gjatë mbjelljes së disa pemëve me nxënësit e shkollës Emin Duraku. Veliaj tha se tifozët e Romës do ta ndjekin ndeshjen te 'Fan Zone' te Amfiteatri, ndërsa tifozët e Feyenoord do mund ta shohin te 'Fan Zone' te Pedonalja. Ai ka rikujtuar edhe njëherë se dita e mërkurë, 25 maj, do të jetë pa makina, dhe ditë pushimi. 

Këtë javë presim nga 50 deri në 100 mijë tifozë, të cilët ndoshta do të vijnë edhe pa bileta, vetëm për atmosferën. Kemi përgatitur Amfiteatrin e Liqenit, ku do të vendosen tifozët e Romës, të cilët do ta ndjekin ndeshjen përmes ekraneve të mëdha, nëse nuk kanë bileta. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me tifozët e Feyenoord, që vijnë nga Roterdami, te pedonalja e Tiranës. E mërkura do të jetë një ditë pa makina, një ditë pushimi edhe për shkollat. Edhe kjo është një mënyrë për t’i thënë qytetit se duhet ta ulim pak përdorimin e makinës”, njoftoi Veliaj.

/rtsh.al/