RTSH 24 Live

Aktualitet

Finalja e Conferencë League, 25 maji pushim për institucionet publike në Tiranë, rrugët hyrëse të bllokuara deri në orën 18:00

18/05/2022

Finalja e Conferencë League, 25 maji pushim për institucionet publike në Tiranë, rrugët hyrëse të bllokuara deri në orën 18:00

Data 25 maj ku Tirana do të presë në stadiumin Air Albania ndeshjen finale të Conference League mes Romës dhe Feyenoordit do të jetë ditë pushimi për institucionet publike në të gjithë qarkun Tiranë. Ky vendim i qeverisë u morë pikërisht për të përballuar sa më mirë fluksin e tifozëve që do të vijnë në Tiranë për të parë ndeshjen.

Gjithashtu Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se të gjitha rrugët hyrëse në Tiranë do të jenë të bllokuara deri në orën 18:00 më 25 maj dhe kushdo që do t’i bashkohet festës së finales do të mund të hyjë në kryeqytet pas orës 18:00.

“Data 25 maj do të jetë ditë pushimi për institucionet publike të qarkut të Tiranës. Kjo masë merret në vazhdimin e masave për të organizuar në mënyrë sa më shembullore për finalen e Conferencë League në ‘Air Albania’ ku presim të kemi fluks shumë të madh. Gjithashtu të gjitha akset hyrëse në Tiranë do të bllokohen më 25 maj deri në orën 18.00. Kushdo që do t’i bashkohet festës së finales së madhe mund të vijë pas orën 18.00”, tha Çuçi.

/rtsh.al/