Shqiptarët e dënuar në Britaninë e Madhe do të transferohen në atdhe.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka zyrtarizuar këtë të mërkurë me homologun britanik Alex Chalk, fillimin e implementimit të marrëveshjes për transferimin e shtetasve shqiptarë të dënuar nga Britania e Madhe për në Shqipëri, përfshirë edhe të dënuarit me burgim të përjetshëm.
Kjo marrëveshje përfaqëson vullnetin politik ndërmjet dy qeverive dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike dhe aleate në NATO.
Qëllimi kryesor i marrëveshjes është rehabilitimi social i të dënuarve shqiptarë në Britani, duke i krijuar mundësinë e vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit në atdhe, pranë nënave, fëmijëve, bashkëshorteve dhe familjeve të tyre.
Marrëveshja do të jetë me 0 kosto financiare për shtetin shqiptar, pasi pala britanike mbulon shpenzimet për çdo ditë që të dënuarit do të vuajnë në burgjet tona.
Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme Burgjeve do të përfitojnë mbështetje logjistike dhe grante, që do të investohen për burgjet shqiptare dhe në fuqizimin e kapaciteteve tona njerëzore.
Për transferimet do të kenë prioritet ata që japin pëlqimin e tyre për t'u kthyer, me përjashtim të rasteve kur në vendimet e gjykatës britanike parashikohet deportimi i tyre nga Mbretëria e Bashkuar.
/rtsh.al/