RTSH 24 Live

Kosovë

Festivali i Këngës në Kosovë- Olen Cesari e Albert Stanaj pjesë e spektaklit së natës finale

6 orë para

Festivali i Këngës në Kosovë- Olen Cesari e Albert Stanaj pjesë e spektaklit së natës finale

Alban Skënderaj nuk është surpriza e vetme skenike në natën finale të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës. Radiotelevizioni i Kosovës ka sjellë edhe emra të tjerë të cilët do të elektrizojnë skenën.

Njëri nga ta është violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Cesari. Në anën tjetër, premierë të veprës së tij do të ketë këngëtari nga SHBA-të, Albert Stanaj. Producentja ekzekutive e festivalit, Arta Avdiu, dha detajet e mbrëmjes pak çaste para nisjes së natës finale.

“Sonte kjo natë ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për nga pesha e ndarjes së shpërblimeve, por edhe për nga pesha e performancave të shumta. Përveç Alban Skënderajt, do ta kemi Albert Stanaj, i cili vjen nga një familje shqiptare në Mal të Zi, e shpërngulur në Amerikë. Sot gjatë provave gjenerale kuptova se këngën e tij premierë ka vendosur ta bëjë pikërisht në skenën e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës”, ka thënë ajo në një intervistë.

Avdiu ka paralajmëruar edhe vepra nën autorësinë e sopranos me famë botërore, Maria Callas.

“Përderisa jemi në vazhdën e shfaqjes së filmit për jetën e Maria Callas, sonte do ta kemi një pjesë nga ajo që do ta performojnë pikërisht në këtë skenë madhështore. Është pjesë e shkëputur nga veprat e shumta të saj, që do ta prezantojë njëra nga sopranot e njohura kosovare”, ka thënë ajo.

Avdiu ka thënë se ky festival është organizim për gjithë Kosovën. Sipas saj kjo dëshmohet në faktin e organizimit në qendër të kryeqytetit, në Pallatin e Rinisë.

“Jemi për realizimin e festivalit ashtu siç realizohet në vendet ku janë pjesë e Eurovisionit. Edhe ne jemi të gatshëm, po e tregojmë në forma të ndryshme, teknike, organizative, të përmbajtjes së këngëve, kështu që vetëm e presim një ‘po’ nga ata”, vazhdoi Avdiu.

Ndërkaq, pas përfundimit të këngëve garuese, këngëtari shqiptar i njohur në Amerikë, Albert Stanaj ka elektrizuar skenën e Festivalit të Këngës në RTK.

Përmes paraqitjes së tij solli premierën e veprës së tij, “Glory”. Stanaj u përcoll me duartrokitje e ovacione nga publiku. Ai paraprakisht rrëfeu se si fëmijë kishte kënduar këngë folklorike dhe me këtë rast me zërin e tij magjik interpretoi një pjesë të shkurt të këngës së Fatime Sokolit "Me krah t’shqipes nga Tropoja ty Kosovë këtë kangë ta knova".

Pas tij, skena i takoi sopranos së njohur, Besa Llugiqi, e cila solli atmosferë të muzikës klasike në sallë.  Llugiqi nën shoqërimin e orkestrës dhe Filharmonisë së Kosovës interpretoi arie nga Maria Callas. E me një recital emocionues me poezi të Gjergj Fishtës në skenë u paraqit aktori Bujar Ahmeti. Pas tij skenën e elektrizoi violonisti me famë botërore, Olen Çezari.

/rtsh.al/