RTSH 24 Live

Film

Festivali i Kanës, Strip merr çmimin e nderit “Palma e Artë”

16/05/2024

Festivali i Kanës, Strip merr çmimin e nderit “Palma e Artë”

Që nga dita e martë Kana po mirëpret edicionin e 77-të të Festivalit të Filmit. Në garë për çmimin e madh “Palma e Artë” janë 22 filma.  

Një ditë më parë, ky festival iu  kushtua përparimit që gratë kanë bërë në kinema. Aktorja e famshme amerikane Meril Strip, e cila u nderua me një çmim nderi “Palma e Artë” në ceremoninë e hapjes, ndau histori nga karriera e saj dhe foli për përparimin e bërë nga gratë në këtë industri. “Jam shumë e lumtur që nuk jeni mërzitur ende me fytyrën time” u shpreh ajo me shkaka dhe shtoi “Yjet më të mëdhenj në botë tani janë femra". Strip theksoi se rolet e saj të hershme shpesh ishin të paharrueshme, sepse ajo ishte e vetmja grua me rol në film.  

Festivali i Kanës ka pjesëmarrje të gjerë prodhimesh kinematografike nga Europa, Shtetet e Bashkuara dhe deri në Indi. Edicioni i 77-të e tij ul siparin më 25 maj, kur ndahet edhe çmimi kryesor “Palma e Artë”. 

Ndërkohë një nga regjisorët më të  famshëm të Hollivudit është rikthyer këtë të enjten në Festivalin e Filmit në Kanë. Frensis Ford Kopola (Francis Ford Coppola) shfaq për herë të parë projektin e tij kinematografik "Megalopolis". Regjisori amerikan e ka shkruar skenarin e këtij filmi që në vitet ‘80.  

/ rtsh.al /