Në kuadër të festimeve për 10 Dhjetorin, Këshilli i Qarkut Korçë, në bashkëpunim me ansamblet folklorike të bashkive të qarkut, po organizon festivalin folklorik më të madh rajonal, “Autonom Fest”.
Ky eveniment i veçantë do të shërbejë si një platformë për promovimin e pasurive folklorike të krahinës së Korçës, duke përfshirë këngë, valle dhe kostume tradicionale që pasqyrojnë bukuritë dhe kulturën e zonave të ndryshme të qarkut.
Festivali, që do të zhvillohet me rastin e 10 Dhjetorit, ditës së krijimit të Krahinës Autonome të Korçës, do të ofrojë një mundësi unike për ansamblet folklorike të shfaqin pasurinë e trashëgimisë kulturore, duke mbledhur kështu qytetarët dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria.
Ky festival, që mendohet të bëhet një traditë e re, synon të forcojë identitetin kulturor të Krahinës Autonome të Korçës dhe të ofrojë një mundësi për brezat e ardhshëm që të njohin dhe respektojnë pasuritë e trashëguara.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/