RTSH 24 Live

Televizion

Festa e shenjtë e bektashinjve, baba Mondi: Kur e ndjeni veten ngushtë drejtojuni vendeve të mira

23/07/2024

Festa e shenjtë e bektashinjve, baba Mondi: Kur e ndjeni veten ngushtë drejtojuni vendeve të mira

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka dhënë mesazhe për të gjithë besimtarët duke iu sugjeruar që gjithmonë të jenë pranë vendeve të shenjta, veçanërisht kur e ndiejnë veten ngushtë.

Duke folur nga Mali i Tomorit për gazetaren Aida Topalli në emisionin “Jetë Shqiptare” kryegjyshi Botëror i Bektashinjve është shprehur se njerëzit duhet të afrohen me Zotin duke mos u bërë keq të tjerëve.

Jeta është e vështirë, nuk është fushë me lule, pa munde pa sakrifica, por do ta japësh edhe një herë jetën siç e dha Imam Hyseni me 7 dëshmorë, për të vërtetën dhe paqen. Edhe profeti Muhamet ka një thënie që kur ta ndjeni veten ngushtë, drejtojuni vendeve të mira, ato e dinë hallin tuaj.

Njerëzit e mirë janë si Zoti të largojnë çdo të keqe që të rrethon, se ka edhe forca të errëta që njerëzit nuk i kuptojnë. Njeriu po ta dijë kush është nuk bën gjëra të këqija, por nuk njeh veten dhe nuk Zotin, edhe Kurani kështu thotë; Kush ka njohur veten, ka njohur Perëndinë”, u shpreh kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj me rastin e festës së shenjtë të bektashinjve, atë të “Ashures” të zhvilluar pak ditë më parë.

Më poshtë ndiqni një pjesë të reportazhit në Malin e Tomorit të gazetares Aida Topalli për emisionin “Jetë Shqiptare”:

Ekziston një vend, në një lartësi 2416 metra mbi nivelin e detit, që ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë rivalizues dhe zotëron pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Që në antikitet e deri në mesjetë, është konsideruar si olimpi shqiptar. I vetmi kult që ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Po flasim për Malin e Tomorit.

I rrethuar nga Skrapari, Gramshi, Voskopoja, rreth 3 orë larg nga kryeqyteti, ekipi i “Jetë Shqiptare” rrugëtoi, për të ndjekur nga afër edhe një rit fetar të bektashinjve; Ditën e Ashures në teqenë e “Abaz Aliut”.

Përmes gjelbërimit të Belshit, një mbi një dritareve të Beratit, kodrave të blerta të Poliçanit, u ngjitëm drejt rrugës që të ndalon së pari, në gjurmën e “Abaz Aliut”.

Një oaz vetmitar, që shoqëri të përhershme i bën kjo gjurmë, teqeja dhe në majë tyrbja e shenjtorit. Por nuk mungojnë as dhjetëra qindra e mijëra turistë e besimtarë që e vizitojnë çdo vit. Edhe në gjetëm disa prej tyre, pikërisht aty. Në një ditë të veçantë për fenë e tyre, si ajo e Ashures, ne i gjetëm kujdestarët e teqesë duke prerë kurban.

Të kuriozuar se çfarë gjen gjithkush kur shkon atje, hymë dhe pamë të gjitha ato se çfarë përpiqen të ofrojnë me shumë dashuri këta njerëz të mirë; Në shumllojshmërinë e ngjyrave, me punimet e gurit në mënyrë të përsosur, Zalo është kujdesur që të ruajë origjinalitetin.

Por në këtë ditë, ata janë mbledhur vetëm për ritin e përfundimit të muajit “Muharrem”.  Për gjithkënd që shkon në malin e Tomorrit, zakonisht, që udhëtimi të konsiderohet i plotë, duhet të shkojë në majën më të lartë, tek tyrbja e “Abaz Aliut”.

/rtsh.al/