RTSH 24 Live

Sociale

Fenomeni që nuk po hesht - Në Gjirokastër shtohen denoncimet e dhunës në familje

10/02/2024

Fenomeni që nuk po hesht - Në Gjirokastër shtohen denoncimet e dhunës në familje

55 raste të denoncuara në policinë e Gjirokastrës gjatë vitit të kaluar për veprën penale “ushtrim dhune në familje”,  është tregues se ky fenomen nuk po mbahet më i fshehur. Ndonëse qarku i Gjirokastrës nuk hyn në zonën e nxehtë të këtij fenomeni, përfaqësues të Sektorit të Dhunës në këtë institucion thonë se kjo shifër në rritje vjen për shkak të ndërgjegjësimit sidomos të grave, target grupit më të dhunuar si dhe rritjes së besueshmërisë tek organet ligj zbatuese.

“Si qark nuk është se hyjmë tek qarqet e nxehta të këtij fenomeni por për popullsinë dhe për shtrirjen tonë konsiderohet një numër mesatar”

Edhe në bashkinë Gjirokastër prej katër vitesh funksionon  një qendër të posaçme për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Viktimat e saj akomodohen këtu për 72 orë, ose më shumë, në varësi të rastit, ndërsa përfitojnë dhe disa mbështetje të tjera. 

Denoncimet janë për dhunë psikologjike dhe fizike, ndërsa mbizotërojnë rastet në familje me probleme social-ekonomike, ku pamundësia për jetesë normale degjeneron në dhunë fizike.

Në qendrën e rehabilitimit dhe trajtimit në bashki ofrohet shërbimi i duhur social dhe special sipas rasteve të paraqitura. Stafi është i kualifikuar dhe ndihma që jepet nga bashkia është në stadartet e duhur që bën të mundur zvogëlimin e pasojave që kanë këta persona.

Plaga dhe pasoja me e madhe për një familje që ka të pranishme fenomenin e dhunës janë fëmijët. Ata pësojnë një goditje të madhe që reflektohet në sjelljen e tyre të përditshme dhe ën ardhmërinë e tyre. Rasti më flagrant është kur ndaj tyre ushtrohet dhunë e çdo forme qoftë ajo. Trajtimi nga ana psikologjikë ka një rëndësi të madhe . Psikologët thonë se fëmijët të cilët dhunohen apo janë dëshmitarë të dhunës në familje kanë pasoja në psikologjinë e tyre. Ata mund të jenë ose shume të ndrojtur ose shumë agresive, si në shoqërinë e tij, ashtu edhe në shkollë.

Dhuna familjare përbën një problem të mprehtë social, për arsye se cënon  bazat e shoqërisë në themelin e saj  më të thellë siç është familja. Ky fenomen ka rritur edhe numrin e divorceve dhe lëshimin e urdhrave të mbrojtjes, në gjykatën e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Gjirokastër. Nisur nga këto denoncime nuk kanë munguar dhe rastet e marrjes nën mbrojte të personave të rrezikuar nga dhuna në familje. Në Gjykatën e Shkallës  së Parë në Gjirokastër në një vit janë lëshuar 60.urdhër të mbrojtjes për të penguar dhe më shumë avancimin e këtij  fenomeni.

/RTSH/