RTSH 24 Live

Art

Fabjola Bramo, artistja që u jep jetë mureve

20/02/2025

Fabjola Bramo, artistja që u jep jetë mureve

Fabjola Bramo është një artiste e talentuar e cila kreativitetin e saj e shpreh përmes muraleve që realizon. Me penelat e saj të pasura në ngjyra dhe detaje, ajo transformon muret e ftohta në vepra arti plot gjallëri dhe emocione pozitive.

“Jam autodidakte, çdo gjë e kam mësuar vetë. Fillimisht nisi me eksplorimin me bojërat. Me lapsat dhe ngjyrat kam nisur që në moshë të vogël”, tha ajo9.

Që nga fëmijëria, Fabjola ka pasur një pasion të thellë për pikturën. Lapsi dhe boja ishin mjetet e saj të preferuara, duke e shtyrë të eksperimentojë dhe të zhvillojë stilin e saj unik, sot përkushtimi i saj ndaj këtij arti është me kohë të plotë.

“Është ëndrra ime që fëmijë. Do të doja që të përcillja një mesazh që nuk është asnjëherë vonë për të ndjekur ëndrrat”, tregoi ajo.

Një nga veçantitë e punës së Fabjolës është se ajo nuk pikturon vetëm për estetikë, por edhe për të sjellë emocione dhe mesazhe pozitive, duke pikturuar kopshtet dhe çerdhet ka krijuar ambiente frymëzuese, muret gri e të ftohtë të spitaleve i ka shndërruar në hapësira plot jetë , që u japin shpresë pacientëve.

Në çdo vepër të saj, Fabjola Bramo dëshmon se arti nuk është thjesht dekor, ai mbetet një mjet që ndryshon atmosferën, frymëzon dhe sjell gëzim në jetën e njerëzve.