RTSH 24 Live

Euro 2024

Euro 2024- ‘Europiani 3D’ në RTSH, emocionet e sfidave dhe lidhje direkte nga Gjermania

14/06/2024

Euro 2024- ‘Europiani 3D’ në RTSH, emocionet e sfidave dhe lidhje direkte nga Gjermania

Nis sonte në RTSH “Europiani 3D”, një emision, i cili do t’i përkushtohet tërësisht ngjarjes më të madhe të botës së futbollit për vitin 2024 që është kampionati Euro 2024 që zhvillohet në Gjermani.

“Europiani 3D” do të sjellë përgjatë gjithë ditëve të kampionatit jo vetëm momentet më pikante të sfidave në fushë dhe jashtë saj të ekipeve më të mira evropiane pjesëmarrëse në këtë ngjarje të madhe, por edhe analizat nga profesionistët më të mirë shqiptar të futbollit me trajner, futbollistë, ish- futbollistë të kombëtares shqiptare, arbitra, gërshetuar edhe me personazhe të njohur publik nga një sërë fushash të jetës politike, sociale, artistike etj.

Emisioni do të moderohet nga tre figura mjaft të njohura të ekranit si Valbona Selimllari, Alban Dudushi dhe Ardit Roshi.

Lidhjet direkte nga qytetet ku do të luaj kombëtarja

Si asnjëherë më parë RTSH do të përcjellë drejtpërsëdrejti nga Gjermania edhe emocionet e ekipit kombëtar përpara sfidave nëpërmjet intervistave me protagonistët e kombëtares, si dhe do të përcjellin edhe atmosferën e mijëra tifozëve “Kuq e Zi”, të cilët kanë shkuar në Gjermani për të mbështetur kombëtaren e tyre të zemrës.

Në lidhje të drejtpërdrejta nga Gjermania do të jenë figura mjaft të njohura të ekranit të RTSH-së në fushën e Sportit si Defrim Met’hasani, Hygerta Sako dhe Sabina Mete. Ata janë pozicionuar prej ditësh në qytetet ku do të luajë kombëtarja shqiptare.

Vetëm me një klik

Një e veçantë tjetër e mbrëmjeve kushtuar Euro 2024 do të jetë edhe prania e Fabiola Elezit, e cila do të sjellë në studion e “Europiani 3D”, për ta ndarë me të gjithë shqiptarët, të rejat më të fundit nga rrjetet sociale, me protagonistë futbollistët pjesëmarrës në Euro 2024 dhe tifozërinë ‘Kuq e Zi’. Këto emocione, në kohë reale,  publiku shqiptar mund ti marrë me një klik edhe nëpërmjet platformave sociale të RTSH si në Rtsh sport, Instagram, Facebook, TikTok, Web, të RTSH-së.  

Si asnjëherë më parë, publiku, në ekranin e RTSH, do të mund të ndjekë, të informohet dhe të shijojë vërtetë një mbrëmje 100% ‘Kuq e Zi’, ku nuk do të mungojë as spektakli. Drejtori i emisionit, Bojken Lako  premton se “Europiani 3D”, do të jetë një show krejt ndryshe nga të tjerët, duke ftuar madje edhe  teleshikuesit dhe artistët e rinj që të bëhen pjesë aktive e mbrëmjes ‘Kuq e Zi’.

“Europiani 3D’ në RTSH premton jo vetëm net spektakolare emocionesh në ballafaqimin e sfidave Euro 2024, por edhe një standard të ri mediatik në pasqyrimin e përfaqësimit të kombëtares shqiptare në fushat e futbollit evropian dhe botëror. 

/rtsh.al/