RTSH 24 Live

Kulturë

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë botërore fiton Çmimin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike "Artistja e Vitit"

19/01/2023

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë botërore fiton Çmimin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike "Artistja e Vitit"

Sukseset për sopranon e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, duket se nuk kanë të reshtur. I radhës, për yllin e muzikës klasike me famë botërore, është se ajo u vlerësua me Çmimim Ndërkombëtar të Muzikës Klasike për vitin 2023, duke u shpallur kështu “Artistja e Vitit”.

Emri i Jahos bëri jehonë sërish edhe në këtë kompeticion virtuoz, duke spikatur mes emrave më të njohur të muzikës klasike botërore, në të cilin ishin nominuar mbi 350 prodhime artistike të artistëve ndërkombëtarë.

Në faqen zyrtare të Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike është i pasqyruar edhe motivacioni me të cilin Ermonela Jaho është shpallur më e vlerësuara, në të cilin shkruhet: "Me bukurinë unike të zërit të saj madhështor, të udhëhequr me vendosmëri drejt shkëlqimit të lavdishëm, Ermonela Jaho mahnit me estetikën e saj të pastër vokale.  Por kjo nuk është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetra është prezenca elektrizuese teatrale. 

Pak këngëtarë arrijnë një shkallë kaq të lartë të identifikimit me rolet e tyre, me një vërtetësi absolute dhe me një emocion prekës.

Me të dalë në skenë Ermonela Jaho e hedh tej  personalitetin e vet si një mantel dhe mishëron plotësisht personazhin që duhet të interpretojë"

Çmimet e këtij kompeticioni muzikor, do të ndahen në datën 21 Prill, në një mbrëmje Gala që do të mbahet në Poloni, gjatë Forumit Ndërkombëtar të Muzikës.

/rtsh/