RTSH 24 Live

Europë

Erdogan bën thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

23/09/2024

Erdogan bën thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku përveç raporteve dypalëshe dhe çështjeve globale, kanë diskutuar edhe për stabilitetin rajonal, posaçërisht rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Erdogan, në bazë të një komunikate për shtyp të lëshuar të hënën nga presidenca turke, dhe transmetuar më pas nga agjencitë e lajmeve gjatë ditës, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke e cilësuar këtë proces “thelbësor” për ruajtjen e paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Turqia ka shprehur disa herë gatishmërinë të kontribuojë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili aktualisht është nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE). Në përgjithësi, procesi është karakterizuar nga tensionet midis dy fqinjëve, posaçërisht rreth veriut të Kosovës të banuar me serbë.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork deri më 27 shtator, Presidenti Vuçiq do të ketë takime dypalëshe me më shumë se 40 liderë botërorë, ndërsa të martën do t'u drejtohet pjesëmarrësve të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

 

/rtsh.al/