RTSH 24 Live

Politikë

Enkelejd Musabelliu emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

2 orë para

Enkelejd Musabelliu emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Këshilli i Ministrave ka emëruar në detyrën e zëvendësministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliun.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Enkelejd Musabelliu emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shkruan se “Musabelliu është një ekonomist politik me përvojë të gjatë në çështjet e zhvillimit ekonomik, planifikimit strategjik dhe politikave sociale. Ai ka një karrierë të spikatur në sektorin publik, duke kontribuar si në institucionet qendrore, ashtu edhe në ato vendore, si dhe ka shërbyer si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të disa institucioneve publike

Në periudhën 2018-2024, ai ka vepruar si konsulent për organizata ndërkombëtare dhe institucione publike, me fokus të veçantë në planifikimin strategjik dhe pushtetin vendor.

Gjithashtu, Musabelliu ka punuar edhe në sektorin privat, duke ofruar ekspertizë për studime fizibiliteti dhe projekte investimesh në energjetikë, turizëm dhe infrastrukturë”.

Gjatë periudhës 2015-2018, ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës, ku ishte përgjegjës për zhvillimin ekonomik vendor, zhvillimin rural, planifikimin strategjik, menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe ngritjen e sistemit të statistikave.

Më herët, gjatë viteve 2013-2015, ai ka mbajtur pozicionin e Këshilltarit të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke kontribuar kryesisht në reformën e pensioneve të vitit 2014”, bën të ditur Gonxhja.

Enkelejd Musabelliu ka përfunduar studimet në Filozofi në Universitetin e Tiranës dhe në Ekonomi Politike Europiane në London School of Economics, Mbretëria e Bashkuar.

/rtsh.al/