RTSH 24 Live

Ekonomi

Eksportet e produkteve të peshkut u rritën në 144 milionë euro

04/09/2024

Eksportet e produkteve të peshkut u rritën në 144 milionë euro

Në parlamentn shqiptar Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, diskutoi mbi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për peshkimin”.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se projektligji për peshkimin është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e menaxhimit të burimeve detare dhe në përafrimin e legjislacionit me BE-në.

Sipas saj, në fokus të ndryshimeve janë përmirësimi i standardeve dhe rritja e investimeve në infrastrukturën e peshkimit si dhe në lehtësimin e procedurave administrative në këtë sektor.

Denaj e cilësoi peshkimin një sektor potencial për rritjen e të ardhurave ekonomike.

“Në fund të vitit 2023 vlera e eksporteve të produkteve të peshkut shkoi në 144 milionë euro ndaj 137 milionë që ishte një vit më parë. Kemi një flotë me 811 mjete dhe mundësia e këtij ligji mbështet jo vetëm rinovimin e flotës për zgjerimin e aktivitetit të peshkimit por edhe zgjerimin e aktivitetit. Ministria ka punuar fort në drejtim të përmirësimit të inftastrukturës në sektorin e peshkimit. Qeveria ka miratuar një kredi prej 25 milionë euro, për zhvillimin e ekonomisë blu për vënien në funksion të 9 porteve artizanale të përpunimit të peshkut dhe 2 markatave në Shkodër dhe Sarandë që i bashkangjiten markatës  së Vlorës”, deklaroi ministrja.

Ministrja vuri në dukje se, një aspekt tjetër thelbësor është identifikimi automatik i anijeve të peshmkimit, që do të implementohet në 2025.

“Instalimi i këtij sistemi në anijet e peshkimit do të ndihmojë edhe në luftën kundër informalitetit”, tha Denaj, teksa vuri në dukje se, projektligji synon të rrisë vëllimin e eksporteve dhe të diversifikojë aktivitetin e peshkimit. Ndërsa, sipas saj, metodologjia për sanksionet synon lehtësimin administrativ për  zhvillimin e sektorit.


/ rtsh.al /