RTSH 24 Live

Botë

Ekonomia më e madhe e Europës bie në recesion

25/05/2023

Ekonomia më e madhe e Europës bie në recesion

Gjermania bie në recesion pasi konsumatorët kanë nisur të shpenzojnë më pak pas rritjes së çmimeve jo vetëm energjisë por dhe ushqimeve.

Prodhimi në ekonominë më të madhe të Evropës ra me 0.3% në tre muajt e parë të vitit, pas një tkurrjeje prej 0.5% në fund të vitit 2022.

 “Këmbëngulja e rritjeve të larta të çmimeve vazhdoi të ishte një barrë për ekonominë gjermane në fillim të vitit. Kjo u reflektua veçanërisht në shpenzimet e konsumit final të familjeve, të cilat ranë me 1.2% në tremujorin e parë të 2023”, tha Zyra Federale e Statistikave.

Shpenzimet nga konsumatorët në tremujorin e parë Të 2023 u ulën nga "goditja e çmimit të energjisë".

Çmimi i energjisë në Europë ishte duke u rritur, por pushtimi rus në Ukrainë i çoi ato në nivele rekord. Moska më pas vazhdoi të ndalonte furnizimet me gaz në vendet evropiane, duke bërë që Gjermania të shpallte një gjendje emergjente .

"Ne mendojmë se shpenzimet e konsumatorëve tani po rimëkëmben ndërsa inflacioni lehtësohet. Ne dyshojmë se PBB-ja do të vazhdojë të bjerë në tremujorët e ardhshëm, por nuk shohim as rimëkëmbje të fortë", tha Zyra Federale e Statistikave.

Kancelari gjerman Olaf Scholz e përshkroi perspektivën për ekonominë si "shumë të mirë", duke treguar masat që qeveria e tij ka marrë muajt e fundit për të zgjeruar prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe për të tërhequr punëtorë të huaj, raporton CNN.

"Ka shumë investime në Gjermani për sa i përket fabrikave të baterive dhe anijeve, të cilat po rriten ndjeshëm, dhe për këtë arsye ne mund të kemi besim," tha ai në një konferencë shtypi në Berlin.

Edhe sipas parashikimit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ekonomia gjermane pritet të tkurret me 0.1% në vitin 2023.

/rtsh.al/