Erdgys Arrazi, familja e të cilit, gruaja bashkë me tre fëmijët dyshohet se u vetëmbytën në lumin Buna, pritet të dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ndaj 31-vjeçarit rëndon akuza “shkaktim i vetëvrasjes” për shkak të dhunës psikologjike të ushtruar në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes, Alma Arrazi, ndërsa ai pritet të paraqitet para togave të zeza në orën 12:30.
Sipas Prokurorisë së Shkodrës, Erdgys Arrazi ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj dhe duke e çuar atë drejtë vetëvrasjes.
39-vjeçarja Alma Arrazi dyshohet se në gjendje të rënduar psikologjike, është hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur të moshës 9, 8 dhe 3-vjeçare.
Ngjarja e rëndë ka shokuar opinionin publik, ndërsa deri më tani janë gjetur trupat e dy vajzave të moshës 9 dhe 8 vjeç, ndërsa ende vijojnë kërkimet për trupin e nënës së tyre dhe vëllait 3 vjeç.
/rtsh.al/