RTSH 24 Live

Botë

Gazetarja Alsu Kurmasheva fiton Çmimin Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit 2024

3 orë para

Gazetarja Alsu Kurmasheva fiton Çmimin Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit 2024

Çmimi Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit për vitin 2024 do t’u ndahet 4 gazetareve, mes tyre edhe Alsu Kurmashevas.

48-vjeçarja do e marrë këtë çmim në nëntor së bashku me tri gazetare të tjera: palestinezen Shrouq al-Aila, Kimi de Leon nga Guatemala dhe Samira Sabun nga Nigeria.

Çmimi Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit simbolizon punën jetike të kryer nga gazetarët kudo për të raportuar fakte përballë përpjekjeve të vështira për të shtypur të vërtetën,” tha drejtorja e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Kurmasheva me nënshtetësi amerikane dhe ruse, u ndalua në qershor të vitit 2023 ndërsa po priste të kthehej në Pragë nga Rusia. Autoritetet i konfiskuan të dyja pasaportat dhe telefonin, dhe iu ndalua largimi nga vendi.

Pas pesë muajsh pritjeje për një vendim, Kurmasheva u gjobit me 109 dollarë, pasi nuk arriti që të regjistronte tek autoritetet ruse pasaportën e saj amerikane. Në pamundësi që të largohej nga Rusia, në tetor 2023 Kurmasheva u arrestua dhe u vu pas hekurave, ku u akuzua se nuk ishte deklaruar si “agjente e huaj”, sipas një ligji të miratuar më herët në Rusi. Më vonë, ndaj saj u ngrit akuza për përhapje të lajmeve të rreme për ushtrinë ruse.

Në korrik të këtij viti, një gjykatë në qytetin rus Kazan e dënoi 48-vjeçaren me gjashtë vjet e gjysmë burgim. Pas më shumë se nëntë muajve burg, gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Kurmasheva, u lirua më 1 gusht 2024 si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.  

/RTSH/