RTSH 24 Live

Botë

Berlini do të mbështesë Volkswagen, prodhuesi gjerman kërcënoi me shkurtim të vendeve të punës

3 orë para

Berlini do të mbështesë Volkswagen, prodhuesi gjerman kërcënoi me shkurtim të vendeve të punës

Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habek tha se qeveria po shqyrton mënyrat për të mbështetur prodhuesin e automjeteve Volkswagen. Habeck, që është gjithashtu zëvendës kancelar i Gjermanisë, i bëri komentet në përgjigje të raportimeve se kjo kompani do të shkurtonte vendet e punës për të ulur shpenzimet. "Volkswagen” ka një rëndësi madhore për Gjermaninë," - tha ai pasi vizitoi një fabrikë të kompanisë në Saksoninë e Poshtme.

Ministri Habek tha se do të ndihmonte Volkswagenin të negocionte uljen e kostove, por pa mbyllur vendet e punës. "Një pjesë e madhe e detyrave duhet të trajtohen nga vetë kompania, është puna e saj," - u tha ai gazetarëve.

Burime pranë qeverisë thanë për mediat vendase se ministria gjermane e Ekonomisë po shqyrtonte mundësitë se si të adresojë problemin e automjeteve elektrike, shitjet e të cilave ranë pasi qeveria gjermane ndaloi subvencionimin e tyre.

Volkswagen njoftoi një ulje prej 14% të fitimit në gjysmën e parë të këtij viti për shkak të rënies së shitjeve të automjeteve elektrike. Më herët, Volkswagen mohoi raportimet e mediave se po planifikon të pushojë nga puna deri në 30 mijë punonjës. 

/RTSH/