RTSH 24 Live

Aktualitet

Dosja "Babale", gjykata do shpallë vendimin më 26 shtator, Salianji: Kallëzimi im çoi në burg Agron Xhafajn

5 orë para

Dosja "Babale",  gjykata do shpallë vendimin më 26 shtator, Salianji: Kallëzimi im çoi në burg Agron Xhafajn

Gjykata e Apelit ka shtyrë për  në datë 26 shtator vendimin për deputetin Ervin Salianji, i cili doli sot (20 shtator) para togave të zeza. Në seancë, Salianji kundërshton vendimin me 1 vit burg të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e cila e akuzon për “kallëzim të rremë”. Pas përfundimit të seancës, Salianji pretendoi për vërtetësi në kallëzimin e tij, teksa tha për mediat se pikërisht në të njëjtën ditë që ai bëri kallëzimin, u arrestua në Romë Agron Xhafaj.

Unë përmendja argumentet, ndërsa avokati i palës, që rezulton avokati i të gjithë ministrave të korruptuar, nxjerr një term të padëgjuar, termin “Babale” sepse këta e kanë babalizuar Shqipërinë duke e mbushur çdo institucion me shokët e vet. Çështja është e thjeshtë, denoncimi publik i bërë nga unë në emër të PD ka bërë të mundur që në po të njëjtën ditë të shkojë në burg në Romë Agron Xhafaj i dënuar për trafik lëndësh narkotike. Nuk ka dalë të përgënjeshtrojë që ky nuk është zëri im. Nuk kemi të bëjmë me një video siç duan ta shesin. Unë nuk kam njohje të mëparshme me Agron Xhafajn”, tha Salianji.

Në mbështetje të Salianjit, jashtë ambientit të gjykatës qëndruan deputetët demokratë si, Ferdinad Xhaferi, Emilja Koliqi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Agron Gjekmarkaj, Lefter Gështenja, Bledian Nallbati, Dhurata Çupi, Luan Baçi, Gazmend Bardhi, Luçiano Boçi, Ludovik Hasani, Kastrioti Piroli, Dashnor Sula, dhe Asllan Dogjani.

Salianji kërkoi në nisje të seancës rikthimin e avokatit Ledio Braho dhe Redi Ramaj, kërkesë kjo që u pranua nga gjykata.

Në fjalën e tij gjatë seancës, Salianji përmendi të gjithë emrat e zyrtarëve të denoncuar prej tij, duke nisur nga Vangjush Dako, Arben Ndoka, Pjerin Ndoka, Artur Bushi etj.

“Denoncimet e mia janë provuar. Denoncimin ne e kemi peshuar gjatë. Denoncimi është bërë në 14 maj 2018. Për tre ditë me radhë ka pasur heshtje nga ministri i brendshëm, nga prokurorët. Edhe pse për 8 vite ka qenë i lirë, zotëria në influencën e vëllait dhe shokëve të vet shkon dhe vetëdorëzohet. Shkon me duar në xhepa në Romë të kryejë dënimin.

E cojnë qëllimisht, që të mos depozitojë zë origjinal të vetin. Zëri i Xhafajt i është dhënë me USB prokurorisë nga avokati i tij. Nuk ka asnjë lloj prove dhe as një lloj fakti. Si mund të bëj unë kallëzim të rremë me dy persona që nuk i kam njohur kurrë. Albert Veliun e kam takuar kur më ka ardhur me gazetarin.

Si ka mundësi që Alizoti nuk ka asnjë komunikim telefonik me mua, zero. Por ka komunikime me kreun e grupit parlamentar të PS, komunikim me drejtorin e Policisë së Fierit, me zv. drejtuesin e Policisë.

Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë përfshirë, janë të gjithtë të shkarkuar. I përdorën, i morën i hodhën. Gjyqtarët që janë marrë me çështjen janë të dy të shkarkuar” tha Salianji.

Prokurori i Apelit, Arben Qose e ka vlerësuar të drejtë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa kërkon që vendimi i dhënë të lihet në fuqi. Qose u shpreh se shkaqet e ngritura në ankimim nga dy të pandehurit nuk mbështeten në ligjin procedurial penal.

E vlerësojmë të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Nuk evidentojmë shkelje procedrale gjatë gjykimit. Në lidhje me ankimin e Olldashit dhe Salianjit, vërej që argumentet janë të njësoj.

Pa dashur të hyj në dinamikëm e faktit penale, vlerësoj se shkaqet e ngritura në ankim nga dy të pandehurit nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal.

Në vlerësimin tonë provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, që e kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohen. Vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë.

Në tërësinë e vlerësimit të provave, tabulatet telefonike, komunikimet provohet jo vetëm njohja, por edhe dita kur kanë regjistruar audio përgjimin.

Në përfundim, vlerësoj se vendimi i gjykatës është i drejtë dhe kërkoj të lihet në fuqi”, deklaroi Qose.

Salianji u akuzua për inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.

/rtsh.al/