RTSH 24 Live

Aktualitet

Vau i Dejës- Kultivoi 462 bimë narkotike, arrestohet 36-vjeçari, nën hetim kryeplaku i fshatit

2 orë para

Vau i Dejës- Kultivoi 462 bimë narkotike, arrestohet 36-vjeçari, nën hetim kryeplaku i fshatit

Një 36-vjeçar është arrestuar nga policia e Vaut të Dejës në kuadër të megaoperacioneve “Territori i pastër” dhe “Sundimi i ligjit’.

36-vjeçari kishte kultivuar 462 bimë narkotike, në pronën e tij, në fshatin Hajmel. Policia ka vënë nën hetim edhe kryeplakun e fshatit për shpërdorim detyre.

Po ashtu u arrestua edhe një 50 vjeç,ar pasi gjatë kontrollit në magazinën e tij, ngjitur me pronën e 36-vjeçarit, u gjet 1 armë zjarri automatik me krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të megaoperacioneve kombëtare të koduara “Territor i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, duke përdorur dronë për monitorim ajror, kanë konstatuar se në mes të një parcele me misër në fshatin Hajmel, ishin kultivuar 462 bimë kanabisi.

Shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit P. Rr., 36 vjeç, banues në fshatin Hajmel, i cili po kujdesej për bimët narkotike, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.   

Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Hajmel, shtetasin F. K., 69 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi M. N., 50 vjeç, pasi gjatë kontrollit në magazinën e tij, ngjitur me pronën e 36-vjeçarit, u gjet 1 armë zjarri automatik me krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/