RTSH 24 Live

Aktualitet

Dosja "Babale", Salianji në Gjykatën e Apelit, kundërshton vendimin me 1 vit burg

2 orë para

Dosja "Babale", Salianji në Gjykatën e Apelit, kundërshton vendimin me 1 vit burg

Dosja “Babale” ka rikthyer në Gjykatën e Apelit deputetin Ervin Salianji. Ky i fundit shoqërohej nga deputetët demokratë si, Ferdinad Xhaferi, Emilja Koliqi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Agron Gjekmarkaj, Lefter Gështenja, Bledian Nallbati, Dhurata Çupi, Luan Baçi, Gazmend Bardhi, Luçiano Boçi, Ludovik Hasani, Kastrioti Piroli, Dashnor Sula, dhe Asllan Dogjani.

Në seancën e kësaj të premte (20 shtator) Salianji kundështon vendimin me 1 vit burg të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e cila e akuzon për “kallëzim të rremë”.

Salianji ka kërkuar në nisje të seancës rikthimin e avokatit Ledio Braho dhe Redi Ramaj, kërkesë kjo e pranuar nga gjykata.

Ndërkaq, në seancën e sotme të Apelit me trupë gjykuese, Elona Toro, Eliba Bezat, Gent Shala, avokatët e Salianjit po lexojnë pretendimet që kundërshtojnë vendimin e Shkalles së Parë.

Në fjalën e tij gjatë seancës, Salianji ka përmendur të gjithë emrat e zyrtarëve të denoncuar prej tij, duke nisur nga Vangjush Dako, Arben Ndoka, Pjerin Ndoka, Artur Bushi etj.

“Denoncimet e mia janë provuar. Denoncimin ne e kemi peshuar gjatë. Denoncimi është bërë në 14 maj 2018. Për tre ditë me radhë ka pasur heshtje nga ministri i brendshëm, nga prokurorët. Edhe pse për 8 vite ka qenë i lirë, zotëria në influencën e vëllait dhe shokëve të vet shkon dhe vetëdorëzohet. Shkon me duar në xhepa në Romë të kryejë dënimin.

E cojnë qëllimisht, që të mos depozitojë zë origjinal të vetin. Zëri i Xhafajt i është dhënë me USB prokurorisë nga avokati i tij. Nuk ka asnjë lloj prove dhe as një lloj fakti. Si mund të bëj unë kallëzim të rremë me dy persona që nuk i kam njohur kurrë. Albert Veliun e kam takuar kur më ka ardhur me gazetarin.

Si ka mundësi që Alizoti nuk ka asnjë komunikim telefonik me mua, zero. Por ka komunikime me kreun e grupit parlamentar të PS, komunikim me drejtorin e Policisë së Fierit, me zv. drejtuesin e Policisë.

Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë përfshirë, janë të gjithtë të shkarkuar. I përdorën, i morën i hodhën. Gjyqtarët që janë marrë me çështjen janë të dy të shkarkuar” tha Salianji.

Salianji u akuzua për inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.

/rtsh.al/