RTSH 24 Live

Botë

Donald Tramp shpallet fajtor, presidenti i parë amerikan që do dënohet për një vepër penale

30/05/2024

Donald Tramp shpallet fajtor, presidenti i parë amerikan që do dënohet për një vepër penale

Ish-presidenti Donald Tramp (o. Trump) u shpall të enjten fajtor për falsifikimin e bilanceve të biznesit të tij për interesa politikë që të fitonte zgjedhjet e vitit 2016.

34 akuzat ndaj 77-vjeçarit u pranuan unanimisht nga një juri e pavarur e përbërë prej 12 anëtarësh në gjykatën e Nju-Jorkut.

Prokurori e kishte paditur Trampin me dyshimin se ai falsifikoi të dhënat financiare kur ishte në "Trump Organization" që të rimbursonte ish-avokatin Majkëll Kohen (o. Michael Cohen), i cili kishte paguar 130 mijë dollarë aktoren e filmave pornografikë, Stormi Daniels (o. Stormy), që ajo të mos fliste për një raport intim jashtëmartesor me ish-presidentin. Rimbursimi ishte hequr nga llogaritë e biznesit si "shpenzim për çështje ligjore".

Ish-avokati kishte dëshmuar se pagesa ndaj aktores ishte bërë me urdhër të Trampit, i cili nga ana e vet u deklarua i pafajshëm.

"Nuk bëmë asgjë gabim. Jam një njeri shumë i pafajshëm. Vendimi real do të jetë ai i 5 Nëntorit nga populli," deklaroi Tramp pas daljen nga gjykata, duke iu referuar zgjedhjeve të nëntorit kur synon të garojë për herë të dytë për karrigen më të lartë të shtetit, si kandidat për president.

"I gjithë vendi ynë po manipulohet. E gjithë kjo po bëhet nga administrata Bajden për të plagosur ose dëmtuar kundërshtarin, një kundërshtar politik.

Ne do vazhdojmë të luftojmë deri në fund, përndryshe vendi do të shkojë për dreq," u shpreh Tramp.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga presidenti Xho Bajden nuk e komentoi verdiktin, shefi i komunikimit i ekipit të tij elektoral, Majkëll Tajler (o. Michael Tyler) tha se si përfundim duhet nxjerrë që "askush nuk është mbi ligjin".

"Donald Tramp gjithmonë ka menduar gabimisht se nuk do të përballej kurrë me pasojat e shkeljes së ligjit për qëllimet e veta personale. Por verdikti i sotëm nuk e ndryshon faktin që populli amerikan ka një realitet të thjeshtë përballë tij. Ka vetëm një mënyrë për ta mbajtur Donald Trampin larg Zyrës Ovale: kutia e votimit. Qoftë i dënuar apo jo, Trampi do të jetë kandidati i republikanëve për president," tha Tajler.

Gjykatësi Huan Merçan (o. Juan Merchan) e refuzoi kërkesën e ish-presidentit për ta çmuar të pafajshëm. Ai ka caktuar 11 korrikun si datë për shpalljen e formës së dënimit. Ndërkohë më 15 korrik do të mbahet edhe Konventa Kombëtare e Republikanëve, partia ku 77-vjeçari aderon.

Akuzat kundër Trampit mund të dënohen me deri katër vite burg ose me shërbim prove, që do të ishte rasti i parë për një president amerikan. Duke mos qenë një krim i dhunshëm, ish-presidenti republikan mund ta shmangë burgun. Ai do ketë 30 ditë kohë për të nisur apelimin e dënimit, por procesi më tej me gjasë do të zgjaste përtej 5 nëntorit, kur do të mbahen zgjedhjet.

/rtsh.al/