Është qëlluar për vdekje një person, i cili në mënyrë të përsëritur pati djegur Kuranin në vitin 2023 në Suedi, duke shkaktuar zemërimin e vendeve myslimane.
Salwan Momika, një i krishterë nga Iraku, për të cilin Gjykata e Stokholmit pritej të vendoste të enjten nëse ishte fajtor për nxitje të urrejtjes etnike, u gjet pa shenje jete në një apartament në Sodertalje, Stokholm.
Mediat suedeze raportuan se policia e qytetit, ku jetonte Momika, u njoftua për të shtëna brenda godinës dhe me të shkuar atje e gjetën viktimën të plagosur rëndë. Ai ndërroi jetë nga plagët pas dërgimit në spital.
Për ngjarjen, policia ka ndaluar pesë persona.
Gushtin e kaluar, Momika dhe një tjetër bashkëprotestues, Salwan Najem, u vunë nën akuzë për agjitacion ndaj një grupi etnik në katër raste. Të dy të pandehurit u akuzuan se kishin përdhosur librin e shenjtë dhe kishin bërë komente fyese ndaj myslimanëve - në një rast edhe jashtë një xhamie në Stokholm.
Akti çoi në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Suedisë dhe disa vendeve të Lindjes së Mesme.
/rtsh.al/