8 Shkurti njihet ndryshe si Dita Botërore e të Sëmurëve.
Të rinjtë e Departamentit të Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Shkodrës, në bashkëpunim me klubin studentor "Ndihma e parë", zhvilluan një aktivitet mjekësor në rrugët e qytetit.
"U ofrojmë personave matje të presionit arterial, matje të glicemisë, matje të peshë-gjatësisë (BMI). Studentët janë vullnetarë në këtë aktivitet," u shpreh Julian Kraja, shef i Departamentit të Lëndëve Paraklinike.
"Është një formë shumë e mirë edhe për ne si studentë që të realizojmë praktikën tonë profesionale në terren, por edhe të realizojmë edukimin shëndetësor, sensibilizimin, për të gjithë individët e popullatës," tha Stela Prronaj, kryetare e klubit studentor "Ndihma e parë".
Interesi ishte i lartë, veçanërisht nga të moshuarit, të cilët e cilësuan si nevojë organizimin e aktiviteteve të tilla për matjen e parametrave jetësorë.
Matjet e kryera zbuluan edhe raste rishtazi me glicemi të larta, të cilët u adresuan më pas pranë mjekëve të familjes.
"Një person erdhi për herë të parë që të masë gliceminë. I doli 200. Ishte moshë e mesme dhe realisht është e frikshme, sepse mungon promovimi i kryerjes së kontrolleve periodike," tha z. Kraja.
Dita Botërore e të Sëmurëve u shpall në vitin 1992 dhe qëllimi i saj është sensibilizimi i popullatës që të ndihmojnë e sensibilizojnë ata të cilët po kalojnë një moment të vështirë shëndetësor.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/