Data 13 shkurt shënon Ditën Ndërkombëtare të Radios. Radio luan një mision të mirëfilltë në argëtim, edukim dhe në informim.
Në këtë ditë, dëgjuesit e Radio Kukësit thonë se kjo media i ka shoqëruar gjatë në kohë, ndërkohë që veçojnë muzikën e përzgjedhur, por dhe programacionin.
“Radio Kukësin e kemi dëgjuar vazhdimisht. Që në fëmijëri e kam dëgjuar, ka pasur shumë këngë të bukura. Tani kanë dalë interneti dhe youtube, por sërish kam dëshirë t’a dëgjoj. Në makinë dëgjoj vetëm Radio Kukësin”, tha një dëgjues.
“Radio Kukësi është radio që njohim prej vitësh. Ka stacione shumë të rregullta”, shprehet një tjetër dëgjues.
Drejtori i Radio Kukësit, Jonuz Hallaçi shprehet se duhet të vlerësojmë këtë mjet komunikimi.
“Radio Kukësi do të jetë gjithmonë pranë dëgjuesve. Do të jetë një mikrofon i shqetësuar për problemet që kanë njerëzit, për mënyrën e jetesës, jo vetëm në qarkun tonë, por edhe më gjerë, atje ku ndiqet Radio Kukësi, sikurse në Kosovë”, tha Hallaçi.
13 shkurti është zgjedhur Dita e Radios pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.
UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si mediumin dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron. Në Shqipëri, në nëntor të vitit 1938 nisi transmetimet Radio Tirana, ndërsa pas çlirimit u çelën dhe Radio Shkodra, Korça, Kukësi e Gjirokastra.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/