Në Ditën Ndërkombëtare të Radios, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audio-vizive, Armela Krasniqi ka folur për eksperiencën e saj në këtë medium të rëndësishëm. Krasniqi u rikthye në Radio Tirana, ku nisi hapat e parë të karrierës së saj, teksa kujtimet i ndau në emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun. Drejtuesja e AMA-s tregon se në Radio Tirana ka filluar në një moshë fare të vogël, 10 vjeçe, me emisionet e fëmijëve.
“Unë kam hyrë në Radio Tirana ndoshta në moshën 10-vejçare me emisionet e fëmijëve. Ishte koha kur shkruaja dhe interpretoja poezi dhe redaktorët e asaj kohe të Radio Tiranës vendosën që fëmijët që shkruanin poezi nga të gjitha rrethet, do t’i lexoja unë për Radio Tiranën. Ishte një super emocion”, tregon Krasniqi.
Teksa e konsideron radion një medium me fuqi përbashkuese, Krasniqi tregon edhe një histori mjaft emocionuese në kohën kur punonte si gazetare në terren. E prekur, drejtuesja e AMA-s kujton historinë e një nëne që gjeti të bijën falë emisionit të saj në radio.
“E kam kënaqësi të qenit pranë mikrofonit, është një ndjesi që nuk hiqet kollaj. Nëse do kujtoja kohën time në radio, përveç emisioneve të fëmijëve ku u angazhova në rubrika të ndryshme, kalova në një rubrikë tjetër në moshën 14-15 vjeçe dhe në atë periudhë për herë të parë u bë ‘Hit Parade’ në radio. Kam vijuar ndërmjet radios dhe televizionit. Kam bërë jashtëzakonisht shumë edhe terrenin në radio. Kanë qenë ato diktofonat e mëdhenj, unë isha e vogël dhe me pak peshë në ato vite dhe mbaj mend atë diktofonin që rëndonte shumë. Kushtet nuk kanë qenë si sot. Në ato vite gjithçka e bëja në këmbë, unë kam qenë gazetare e jashtme pranë Radio Tiranës pavarësisht se isha në periudhë gjimnazi.
Një moment fantastik që nuk ka për t’u shlyer dot nga memoria ime, bëj një rubrikë te shtëpia e fëmijë “Zyber Hallulli”, marr shumë zëra fëmijësh, historitë e tyre. Një ditë, siç isha me diktofon në rrugët e Tiranës, te ura e madhe në bulevard më vjen një vajzë e vogël, kishin kaluar 2 apo 3 javë nga intervistat dhe unë e mbaja mend, dhe u shqetësova që atë e pashë jashtë institucionit dhe i thash çfarë bën ti këtu dhe më thotë ‘mami im pasi dëgjoi emisionin në radio erdhi dhe më mori’. U emocionova jashtëzakonisht shumë sepse unë isha fëmijë për vete. Aty e ndjeva vërtetë fuqinë e radios. Këtë histori e kam brenda vetes dhe sa herë flitet për fuqinë e këtij mediumi them se është një fuqi përbashkuese”, tregoi ajo.
/rtsh.al/