RTSH 24 Live

Sociale

Dita e Letërsisë për Fëmijë - Botuesja: Përkthimi mbetet sfidë

02/04/2024

Dita e Letërsisë për Fëmijë - Botuesja: Përkthimi mbetet sfidë

2 prilli njihet ndryshe si Dita Nndërkombëtare  e Letërsisë për Fëmijë. Kjo ditë sjell një ndërgjegjësim edhe më të madh për leximin, për kujdesin që duhet të tregohet ndaj kësaj grup moshe e cila është në hapat e parë drejt rrugës së dijes, por edhe për të frymëzuar dashurinë e tyre drejt  librit. Shkrimtarja Rovena Rrozhani thotë se në këtë udhëtim të gjatë një rol të rëndësishëm përpos shkollave kanë edhe prindërit të cilët duhet ti orientojnë fëmijët e tyre drejt leximit, në mënyrë që të kultivohet kjo kulturë tek ata.

“Nëse një i rritur lexon libër, përpara fëmijëve të jeni të bindur që edhe fëmija do të lexoj. Sigurisht janë sfidat e shoqërisë, ndikimi tek njëri tjetri por nëse kultivohet kultura e të lexuarit që në moshë të re qoftë në shtëpi, në kopsht, në shkollë atëherë do të ketë mundësi që fëmija të qëndrojë pranë librit”, tha shkrimtarja Rovena Rrozhani.

Botuesja Anila Bisha thotë se sfidë mbetet përkthimi i cili veçanërisht në këtë moshë duhet të jetë sa më i përshtatshëm në mënyrë që informacioni të përthithet në mënyrën e duhur, teksa një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar edhe ilustrimit të figurës në çdo libër në mënyrë që të tërheq vëmendjen e fëmijës.

“Është pak më e vështirë që të përkthesh letërsi për fëmijë duhet të gjesh fjalën e duhur, ta sjellësh në shqip sa më bukur sepse fjalët nuk janë kaq të lehta për tu sjellë në shqip. Këtë vit ka një vlerë edhe më të madhe ilustrimi sepse e ndihmon leximin”, tha botuesja Anila Bisha.

Që nga viti 1967, Data 2 prill është zgjedhur si dita ndërkombëtare e letërsisë për fëmijë, në nder të shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen, përrallat e të cilit kanë shoqëruar fëmijët prej disa shekujsh tashmë.

Gazetare: K.Kule  

/RTSH/