31 Tetori është Dita Ndërkombëtare e Kursimeve.
E caktuar që prej vitit 1924 sot është 100-vjetori i caktimit të kësaj dite gjatë Kongresit të parë Ndërkombëtar të Bankave të Kursimeve në Milano, Itali.
Por sa kursime kanë shqiptarët? Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë pjesa më e madhe e kursimeve të shqiptarëve është në valutë e kryesisht në Euro.
Totali i depozitave në vend është afërsisht 12,7 miliardë euro. Nga këto 7.5 miliardë ishin në monedhën evropiane, e pjesa tjetër në lekë e dollarë.
Kursimet kanë ardhur në rritje vitet e fundit, por vlera e tyre është shtuar kryesisht nga më të pasurit, ndërsa një e treta e llogarive janë bosh.
Në raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave thuhet se në fund të vitit 2023 ishin aktive mbi 2,6 milionë llogari në sektorin bankar, por 34% e këtyre llogarive nuk kanë para.
Konkretisht vitin e kaluar 898.348 depozituesit i kishin llogaritë e tyre nga 0 lekë deri në 100 lekë. Ndërkohë janë mbi 1.6 milionë depozitues që në llogaritë e tyre kanë nga 100 lekë deri në 2,5 milionë lekë.
Vetëm një pakicë prej 4% e depozituesve kanë peshën më të madhe të kursimeve në sektorin bankar.
Pothuajse të gjitha qarqet e vendit kanë parë një rritje të nivelit të depozitave bankare. Listën e kryeson Tirana me nivelin më të lartë të kursimeve të mbyllura në banka. Pas saj, renditen Durrësi, Vlora dhe Elbasani.
Nga të gjitha institucionet bankare gjatë kësaj dite bëhet thirrje për të kursyer, ndërkohë që një vëmendje e veçantë i kushtohet edukimit të brezit të ri me nocionin e kursimit. Studimet e tregut dëshmojnë se qëndrimi i fëmijëve ndaj parasë përcaktohet në moshë shumë të hershme.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/