RTSH 24 Live

Sociale

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, Manastirliu: Rritje page për 2 mijë mësues ndihmës

02/04/2024

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, Manastirliu: Rritje page për 2 mijë mësues ndihmës

 Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, vuri në qendër të vëmendjes kontributin jetësor të mësuesve ndihmës në arsimin dhe zhvillimin e fëmijëve me aftësi të veçanta.

 “Dhjetë vite më parë nuk mendonin se do të kishim 2000 mësues ndihmës në sistemin parauniversitar, përfshirë edhe atë parashkollor. Kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës në shkolla. Sot vetëm në shkollat tona në arsimin parauniversitar numërojmë më shumë se 1800 mësues, të dedikuar për fëmijët specialë. Kemi reduktuar raportin mësues për fëmijë me aftësi speciale duke synuar t’i përafrohemi normave të Bashkimit Evropian. Falë investimeve në shkolla, falë investimeve në infrastrukturën shkollore në përmirësimin e aksesit kemi lehtësur hyrjen e fëmijëve specialë në shkollë. Rritja e numrit të mësuesve ndihmës në shkollë ka bërë gjithashtu të mundur rritjen e besimit të prindërve, për të na besuar fëmijët e tyre  përgjatë një procesi edukativ dhe arsimor. Detyra juaj është t’i udhëhiqni, t’i drejtoni dhe t’i mbështesni këta fëmijë gjatë rrugëtimit të tyre arsimor por edhe të evidentoni dhe të identifikoni prirjet dhe talentet e tyre, sepse fokusi i shkollës është gjithë përfshirja, thelbi i shkollës është integrimi dhe përgatitja për jetën dhe këta fëmijë duhet të përgatiten për jetën”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Për të ngritur më tej cilësinë e arsimit për këta nxënës, Ministrja Manastirliu tha se mësuesit e arsimit special do të përfitojnë jo vetëm nga rritja e pagës së mësuesve  që do të shkojë 950 euro në korrik, por veçanërisht mësuesit ndihmës do të mbështeten me programe të trajnimit për të rritur profesionalizmin dhe efikasitetin e tyre

“Ju, jo vetëm që do të kemi mbështetje, nëpërmjet rritjes së pagave si për të gjithë mësuesit  e tjerë, por nga  ana tjetër do të mbështeteni edhe me trajnimet specifike dhe me edukimin në vazhdim, sipas një sistemi të ri të karrierës, brenda sistemit arsimor, nëpërmjet kualifikimeve, mbështetjes së avancuar në vite të ndryshme të karrierës suaj. Në shkollat speciale dhe në shkollat në tërësi, të cilat mbështesin nxënësit me aftësi speciale, ne do t’i riorganizojmë nëpërmjet një tjetër instrumenti që shumë shpejt do ta jetësojmë, që është pikërisht transformimi i shkollave speciale në qendra burimore”, tha Ministrja Manastirliu. 

Synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është krijimi i një mjedisi arsimor që respekton dhe përkrah çdo fëmijë, duke iu mundësuar atyre të arsimohen, të integrohen dhe të kontribuojnë në shoqëri.

/rtsh.al/