RTSH 24 Live

Europë

Diskutojnë për luftën në Ukrainë/ Erdogan pret shefin e NATO-s

18 orë para

Diskutojnë për luftën në Ukrainë/ Erdogan pret shefin e NATO-s

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan priti në Ankara Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.

Takimi i tyre të hënën u fokusua në çështjet kryesore globale, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Përpara takimit, Rutte tha: “Mezi pres të takoj Presidentin Erdogan për të diskutuar mbi sfidat në rritje për sigurinë tonë kolektive – duke përfshirë kërcënimin e terrorizmit, luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme”.

“Në një botë gjithnjë e më të paparashikueshme, Turqia jep kontribute të paçmueshme për Aleancën tonë, duke përforcuar frenimin në krahun tonë jugor,” tha ai.

Rutte gjithashtu nënvizoi se Turqia "ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, një industri mbresëlënëse të mbrojtjes dhe ka qenë një aleat i fortë dhe i përkushtuar për më shumë se 70 vjet".

Presidenca turke tha se gjatë takimit u diskutua se çfarë mund të bëhet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në takimin e zhvilluar në Kompleksin Presidencial morën pjesë edhe ministri i Jashtëm Hakan Fidan dhe ministri i Mbrojtjes Yasar Guler.

Kjo shënoi vizitën e parë të Rutte në Turqi në postin e tij aktual, të cilin ai e mori muajin e kaluar, tha presidenca turke në një deklaratë.

Fidan zhvilloi gjithashtu bisedime të veçanta kokë më kokë me shefin e NATO-s, tha ministria e jashtme.

Detajet e takimeve nuk janë bërë të ditura.

Turqia ndërmjetësoi marrëveshjen e drithit të Detit të Zi në vitin 2022, e cila synonte të siguronte eksportin e sigurt të grurit ukrainas nëpërmjet detit, ku Rusia kontrollon korsitë detare të Ukrainës.

Turqia ka qenë anëtare e aleancës që nga viti 1952 – mbi 70 vjet.

/rtsh.al/