RTSH 24 Live

Kulturë

Dirigjenti me famë botërore Zubin Mehta së shpejti në koncertin gala në Tiranë

09/06/2023

Dirigjenti me famë botërore Zubin Mehta së shpejti në koncertin gala në Tiranë

Dirigjenti me famë botërore Zubin Mehta do të jetë në Tiranë më 22 qershor. Lajmin e jep ministrja e kulturës Elva Margariti në rrjetet sociale. "HISTORIKE! Legjenda e gjallë e dirigjimit botëror, @zubin.mehta.official vjen në Tiranë!" shkruan zonja Margariti.

Galaja e 22 qershorit ku do të jetë dhe maestro Zubin Mehta vjen në kuadër të “Ballkanit të hapur” dhe lidhet edhe me festimet e 100-vjetorit të Orkestrës Filarmonike të Beogradit. Mehta do të dirigjojë orkestrën në një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Në program do të jetë Simfonia nr. 7 e Beethoven-it dhe “Symphonie fantastique” e Hector Berlioz. 

"Mos e humbni këtë rast unik!" është thirrja e ministres Margariti.

Kjo është hera e parë që dirigjenti me famë ndërkombëtare, indiani hebre Zubin Mehta 87 vjeç, vjen në Shqipëri.

Por publiku shqiptar e njeh përmes dirigjimit të Koncertit të Vjenës që RTSH sjell prej dekadash çdo vit të ri ,  si dhe bashkëpunimit me tre tenorët: Pavarotti, Domingo e Carreras. 

Titujt që mban Zubin Mehta janë të shumtë. Karriera e tij mori hov që kur drejtoi Filarmoninë Mbretërore të Liverpulit, në moshën 21-vjeçare dhe më pas filloi të zëvendësonte gjithë dirigjentët më me emër. Ai u bë dirigjenti më i ri që ka drejtuar ndonjëherë një orkestër filarmonike në Amerikën e Veriut. 

Që prej vitit 1981 ai mban titullin “dirigjent i përjetshëm” nga Orkestra Filarmonike e Izraelit. 

Tituj të tillë si “dirigjent nderi” i janë dhënë Zubin Mehtas nga orkestrat e të gjithë kontinenteve. 

/ rtsh.al /