RTSH 24 Live

Rajon

Dinari serb- Stano: Palët të gjejnë gjuhë evropiane, të gjejnë zgjidhje të pranueshme reciprokisht

22/04/2024

Dinari serb- Stano: Palët të gjejnë gjuhë evropiane, të gjejnë zgjidhje të pranueshme reciprokisht

Zëdhësi i BE-së, Peter Stano ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia gjetjen e një gjuhe evropiane pasi duket se nuk po arrijnë pajtueshmëri mbi një propozim të ndërmjetësit, Miroslav Lajçak për dinarin serb.

“Rezultati i bisedimeve të vazhdueshme varet vetëm nga aftësia e të dyja palëve për t’u sjellë në mënyrë evropiane dhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht”, tha Stano.

Reagimi i tij vjen pasi edhe raundi i katër-të të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë i mbajtur më 18 prill në Bruksel për çështjen e dinarit nuk dha rezultate drejt një zgjidhjeje.

Bisedimet e 18 prillit për dinarin u mbajtën nën tensionin e votimit në Asamblen Parlamentare të Këshillit të Evropës ku Kosova kaloi fazën e dytë me sukses, pavarësisht një fushate agresive të Serbisë kundër Kosovës.

Menjëherë pas takimeve kryenegociatorët dhanë qëndrimet e tyre. Kryenegociatori i Kosovës, Besbik Bislimi, takimin e kishte quajtur “të kotë dhe pa rezultate”. Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “bëri gjithçka për të gjetur zgjidhje”.

BE-ja ka paralajmëruar shumë shpejtë takimin e radhës midis kryenegociatorëve në Bruksel për dinarin.

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave në territorin e Kosovës.

/rtsh.al/