RTSH 24 Live

Kronika

Dibër, lejuan ndërtimet pa leje, ndalohet kryeinspektori dhe tre inspektorë të IMT-së

16/07/2021

Dibër, lejuan ndërtimet pa leje, ndalohet kryeinspektori dhe tre inspektorë të IMT-së

Kryeinspektori dhe 3 inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Dibër janë arrestuar nga policia për shpërdorim detyre. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit arrestimi i tyre u bë në kuadër rë operacionit të koduar “INSPEKTORATI”, zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Dibrës në bashkëpunim me prokurorinë.

Të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë me detyrë të ngarkuar për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e territorit në juridiksionin e bashkisë Dibër, nuk kanë ushtruar kontrollin konform ligjit dhe kanë përpiluar akte administrative fiktive në lidhje me kontrollet e zhvilluara, duke lejuar shfrytëzimin e një hapësire publike në pronësi të bashkisë Dibër, për të kryer ndërtim të paligjshëm në emër dhe për llogari të përfituesve, shtetasve Sh. B. dhe B. B..

Më konkretisht të ndaluarit janë shtetasit,  F. R., 33 vjeç, banues në Arras, Dibër, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër dhe tre inspektorët, J. O., 32 vjeç,  Sh. I., 51 vjeç dhe A. C.

Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim e shtetasit E. XH., 37 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër.

Po në vijim të hetimeve për dokumentimin e plotë të këtij rasti, ka nisur procedimi penal dhe për shtetasit B. Sh., 62 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtor i DPKZHT-së bashkia Dibër, A. C., 29 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Kontrollit Territorit dhe E. Sh., 41 vjeç,  banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.

Procedimi penal ndaj tyre ka nisur pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, pasi kanë lëshuar leje rikonstruksioni për shtetasin Sh. B. dhe nuk kanë kryer procedurën përkatëse për ushtrimin e kontrollit në territor për zbatimin e lejes së lëshuar.