RTSH 24 Live

Aktualitet

Diaspora në shifra/ 1,68 milion ose rreth 37 % e shtetasve shqiptarë jashtë vendit

18/12/2020

Diaspora në shifra/ 1,68 milion ose rreth 37 % e shtetasve shqiptarë jashtë vendit

Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ai është i dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, me largimin e një mase të madhe banorësh nga trevat shqiptare.

Akoma vazhdon të mbetet veprues dhe të japë impaktet e tij domethënëse, si në aspektet demografike, po ashtu edhe ato sociale dhe ekonomike të vendit. Periudhat kohore të formimit të diasporës shqiptare ndryshojnë.

Ende nuk përllogaritet një shifër e saktë e diasporës shqiptare për shkak të kompleksitetit që e karakterizon këtë fenomen.

Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, në kuadër të ditës së Diasporës, në vitin 2020, sipas vlerësimeve të tërthorta, numri i diasporës së re llogaritet të jetë rreth 1,68 milion shtetas jashtë vendit ose rreth 37 % të shtetasve shqiptarë gjithsej.

Të dhënat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Instituteve të Statistikave të vendeve të tjera ndihmojnë për ilustrim në lidhje me destinacionet më të rëndësishme për emigrantët shqiptarë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara për vitin 2019, numri i emigrantëve shqiptarë në botë është rreth 1,2 milionë. Italia dhe Greqia kanë përqindjen më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit (rreth 75 përqind). Ato ndiqen nga SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Belgjika, etj.

Vihet re që numri i emigrantëve në Itali, Greqi dhe ShBA është rritur në mënyrë intensive gjatë pesëvjeçarëve 1990 – 1994 dhe 1995 – 1999, të cilat përbëjnë periudhën e emigracionit masiv të shqiptarëve.

Gjatë viteve 1990 – 1994, numri i emigrantëve shqiptar në Greqi, Itali dhe ShBA rritej çdo vit me rreth 30 % të numrit të vitit paraardhës. Këto norma bien në rreth 11 % gjatë periudhës 1995 – 1999. Pas vitit 2000, norma e rritjes së numrit të emigrantëve shqiptarë në Greqi bie me shpejtësi dhe arrin në nivele negative gjatë periudhës 2010 – 2019. Kjo do të thotë se, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, numri gjithsej i emigrantëve shqiptarë në Greqi po zvogëlohet.

Edhe në rastin e Italisë dhe ShBA, norma vjetore e rritjes së numrit të emigrantëve është zvogëluar në mënyrë konstante duke arritur në rreth 3 % përgjatë periudhës 2015 – 2019.

Nga ana tjetër numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani ka ndryshuar me ritme të tjera nga ato të Italisë, Greqisë dhe ShBA-ve. Gjatë viteve 1990 – 1994 ky numër rritej me rreth 10 % në vit. Më pas norma vjetore e rritjes u zvogëlua në mënyrë konstante duke arritur në rreth 1 % përgjatë periudhës 2010 – 2014. Vetëm pas vitit 2015, numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani filloi të rritej me një normë vjetore prej rreth 35 %, duke e kthyer këtë vend si destinacionin kryesor të tyre. Kjo ka bërë që pesha që zënë emigrantët shqiptarë në Gjermani në numrin gjithsej të emigrantëve të katërfishohet nga 1,3 % në 4,2 %.

Të dhënat e censeve të fundit të popullsisë dhe banesave, raundi 2010 tregojnë se 905 mijë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë rezidentë të zakonshëm në 28 vende të Evropës; nga ana tjetër, statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se 962 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 15 vende të Evropës.

Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptar, si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë: Greqi, Itali, Gjermani dhe Britani e Madhe.
Emigrimi në dekadën e fundit shënonte 56 % meshkuj në Gjermani dhe Greqi, dhe 51 % meshkuj në Itali.

Emigrimi në Gjermani akoma ka të ngjarë të jetë i lidhur ngushtë me punësimin (dhe studimin) e cila tregohet nga raporti i ulët e fëmijëve. Në krahasim me të, Italia dhe veçanërisht Greqia kanë një shpërndarje moshore më të gjerë, treguese e migrimit familjar./ATSH/