RTSH 24 Live

Kosovë

Dialogu Kosovë–Serbi në Procesin e Berlinit, Sholc: E shkuara s'duhet t'ju pengojë

14/10/2024

Dialogu Kosovë–Serbi në Procesin e Berlinit, Sholc: E shkuara s'duhet t'ju pengojë

Duke folur në Berlin në hapje të Samitit të Procesit të Berlinit, kancelari gjerman Olaf Sholc (o. Scholz) u ndal tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Ai u kërkoi dy vendeve të mos lejojnë që e kaluara t'i pengojë në rrugën drejt integrimit evropian.

“Ne kemi nevojë për një dinamikë të re në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kështu që unë dua t'u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina, ju lutemi mos lejoni që e kaluara t'ju pengojë në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje, zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar që ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, u shpreh kancelari Sholc.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës Albin Kurti paralajmëroi se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, vendi i tij do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët që kanë letërnjoftime të Bosnje dhe Herecegovinës. Duke folur gjatë samitit në kryeqytetin gjerman, Kurti tha se pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme, Procesi i Berlinit mbetet një forcë nxitëse për integrimin evropian dhe fija që i mban të lidhura gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament, unë kam vendosur t'i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët me letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës, pasi ndërlidhja është e domosdoshme për Procesin e Berlinit”, u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Samiti i Procesit të Berlinit, i cili këtë vit shënon këtë vit 10-vjetorin e tij,  u krijua në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë Angela Merkel. Ai synon të rrisë bashkëpunimin mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor,  vendeve pritëse të Procesit të Berlinit dhe Bashkimit Evropian.

/RTSH/