Kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës Blerim Isufaj në konferencën e thirrur këtë të hënë kërkoi nga Qeveria që të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangë retorikën që synon politizimin e drejtësisë.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për të dëshmuar është procedurë e rregullt dhe çdo person që thirret ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me drejtësinë. U bëj thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës që të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë,” deklaroi z. Isufaj.
Kreu i Prokurorisë Speciale shtoi se gjatë detyrës së tij nuk ka ndodhur ndonjëherë që dikush të jetë marrë në pyetje në Zyrën e Kryeministrit, ashtu siç po kërkon kreu i qeverisë.
“Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë, por unë nuk e di. Në këto pesë vjet sa jam kryeprokuror i kësaj prokurorie, raste të tilla nuk ka pasur. Deklaratat denigruese dhe fyerjet ndaj prokurorëve dhe Prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin dhe sistemin e drejtësisë, por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit,” tha kryeprokurori.
Kryeministri Albin Kurti tha të dielën se Isufaj është regjisori i një pamjeje ku duhet të prodhohet një lajm se kryeministri i Kosovës po merret ne pyetje për një rast korrupsioni.
Kurti nuk iu përgjigj më 16 dhjetor ftesës së Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshminë lidhur me hetimet mbi rezervat shtetërore.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/