RTSH 24 Live

Kosovë

Dialogu Kosovë-Serbi, BE thotë se takimet do të nisin të enjten në mëngjes

12/09/2023

Dialogu Kosovë-Serbi, BE thotë se takimet do të nisin të enjten në mëngjes

Bashkimi Europian ka njoftuar këtë të martë se takimet e diplomatëve europianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, do të nisin të enjten në orën 09:00 të mëngjesit.

Diplomatët fillimisht do të takohen ndaras me liderët e dy vendeve, e më vonë pritet të mbahet një takim trepalësh, mes Kurtit, Vuçiçit, kryediplomatit të BE-së, Josep Borell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në këtë takim pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt, dhe më pas për çështjet aktuale.

Takimi i 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiçit është i pari qëkur serbët lokalë përmes dhunës ndaj forcave policore të Kosovës dhe ndaj forcave të KFOR, kërkuan largimin e kryetarëve shqiptarë nga drejtimi i katër komunave në veri. 

Në takimin e 14 shtatorit pritet të diskutohet për këto tensione dhe gjetjen e rrugës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Një ditë më parë, Kurti tha se kishte biseduar lidhur me takimin së enjtes, edhe  me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gazetar A.Mata

/RTSH/