Punonjësit e Bashkisë së Korçës i janë bashkuar sot thirrjes për dhurim gjaku, duke plotësuar një pjesë të nevojave të Spitalit Rajonal të Korçës për njësi gjaku.
Procesi i dhurimit është organizuar në hollin e bashkisë aty ku punonjës të Bankës së Gjakut kanë vendosur mjetet e nevojshme për kryerjen e dhurimit.
Ka qenë një numër i madh punonjësish të drejtorive të ndryshme pjesë e bashkisë Korçë të cilët kanë kryer këtë akt human, me dëshirën e mirë për të ndihmuar njerëzit në nevojë, por edhe në shenjë sensibilizimi për çdo qytetar që ka mundësi për të kryer këtë detyrim moral.
Banka e Gjakut në Korçë është në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet e qytetarët për të siguruar sa më shumë njësi gjaku, të cilat janë mjaft të nevojshme për operacionet e ndryshme apo edhe për fëmijët talasemikë.
/rtsh/