Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, përmes një deklarate për mediet nga Shkodra, përshëndeti Kongresin amerikan, i cili para pak ditësh me shumicë votash miratoi rezolutën për mësimin e krimeve të komunizmit në shkolla e mesme amerikane.
"Rezoluta H.R.5349 është akt vendimtar për mësimin e së vërtetës rreth komunizmit në shkollat amerikane. Në shkollat shqiptare diktatori nderohet, ai që vrau elitën shqiptare, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk kanë provuar as një orë regjim komunist, i dënojnë krimet e komunizmit," deklaroi Besim Ndregjoni, kryetar i Unionit të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.
Ndregjoni tha se ky akt duhet të shërbejë si një mësim i mirë për politikën shqiptare për të dënuar krimet e komunizmit.
"Që në fillim të vitit 2024, së bashku me tri komunitetet fetare, u kërkuam institucioneve shtetërore që Shqipëria të bashkohet me Europën për t'i dënuar krimet e komunizmit me ligj. Këto institucione kanë zgjedhur heshtjen ndaj këtyre krimeve. Presidenti hesht, parlamenti hesht, qeveria, fatkeqësisht edhe opozita i është bashkuar heshtjes. I drejtohemi Prokurorisë shqiptare që të lejojë që në vendet ku mendohet se janë pushkatuar, të gjejmë eshtrat e të zhdukurve. Përgjigjja e tyre është aq antikombëtare dhe aspak ligjore e njerëzore: 'Nuk kemi ligj për të lejuar'," u shpreh z. Ndregjoni.
Në aktivitetin e organizuar në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër morën pjesë anëtarë të Unionit dhe familjarë të ish-të përndjekurve politikë, të cilët panë nga afër edhe qelitë e ish-të burgosurve.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/